Ka vdekur Aziz Makiqi, ish-hendbollisti shumë i suksesshëm kosovar.
Këtë e ka bërë të ditur Federata e Hendbollit e Kosovës me anë të një komunikate.
Makiqi ka bërë emër në hendboll derisa ishte lojtar i Trepçës së Mitrovicës e më pas te Borci i Ferizajt.
Ai ka luajtur për dy skuadrat e suksesshme kosovare në periudhën më të mirë të tyre, edhe në ligën e parë federative.
Makiqi ka bërë karrierë edhe jashtë Kosovës. Ishte edhe në Bundesligën gjermane si dhe në skuadra tjera të shtetit të dikurshëm federativ.
Në 35 vjetët e fundit ka jetuar jashtë Kosovës, përkatësisht në Kroaci. Ishte edhe trajner, por ka lënë gjurmë të pashlyeshme si lojtar. Në kohën e tij, Makiqi ishte prej lojtarëve më të mirë në shtetin e dikurshëm federativ.
I lindur në Mitrovicë në vitin 1958, Makiqi u zhvillua te Trepça. Karrierën e nisi në vitin 1974. Karrierë si lojtar ka bërë edhe në Austri e Itali, ndërsa si trajner punoi në Kroaci.
“Federata e Hendbollit e Kosovës dhe hendbolli kosovar në përgjithësi mbeti pa një emër shumë të rëndësishëm. Me paraqitjen në fushën e lojës, Makiqi ka bërë të gjithë për vete. Ishte ikonë e Trepçës dhe Borcit, kur këto dy skuadra po shkruanin histori. Me vdekjen e Aziz Makiqit hendbolli kosovar ka mbetur pa një anëtar shumë të rëndësishëm. Karriera e tij si hendbollist ka shërbyer si frymëzim për shumë të rinj që zgjodhën sportin e hendbollit. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Makiqi, klubit Trepça dhe gjithë komunitetit të hendbollit në Mitrovicë e në Kosovë”, shkruan në letrën e presidentit të FHK-së, Eugen Saraçini.
ks