Ka ndërruar jetë në moshë të re futbollisti 19-vjeçar i Vëllaznimit, Lumi Bordoniqi.
Ai vuante nga sëmundja e rëndë tash e një vit.
Federata e Futbollit të Kosovës ka dërguar telegram ngushëllimi tek familja e Lumi Bordoniqit.
Me pikëllim të madh e morëm lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, futbollistit të KF Gjakova e KF Vëllaznimi, Lumi Bordoniqi, andaj në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgoj ngushëllimet më të sinqerta.
Në raste të tilla fjalët janë të pakta e të pamjaftueshme për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar si Lumi.
Sfida me sëmundjen e largoi nga fusha e gjelbër, por shpresa që ai t’i kthehej jetës normale dhe pasionit të tij – futbollit – ishte e madhe, prandaj ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit.
Lumin të gjithë e kujtojmë si një djalë të talentuar dhe me vlera të mëdha.
Në këto momente të vështira jemi pranë jush, me shpresë që kujtimet e bukura dhe sukseset e tij do t’ju japin forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Lumin!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së
ks