Lajme

Veliu: Abdixhiku duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin

Ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka deklaruar se kërkesat për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

Sipas tij, ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj siç ka thënë ai ‘ Abdixhiku duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin’

“Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe kontrollit të plotë mbi partinë.Pas disa cikleve zgjedhore pa rezultatet e premtuara, qëndrimi në krye të partisë pa reflektim politik shihet si mungesë përgjegjësie dhe pengesë për reformimin e LDK-së”, ka shkruar ai në Facebook.

Veliu e ka cilësuar shqetësues dhe arrogant reagimin e Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit, Pejës dhe një dege të kryeqytetit, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij.

“Në vend se të reflektonte mbi kritikat, ai reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror”, ka shtuar ai.

Sipas Veliut, duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë.

“Kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor. Problemi është mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë”, ka përfunduar Veliu.

Të Ngjashme