Lajme

Vendimi 2 milionësh për mërgatën ndez debat, Zebica i kundërpërgjigjet opozitës: Po shtrembërohet e vërteta!

Analisti Kujtim Zebica ka reaguar lidhur me debatin për masën 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, duke kundërshtuar interpretimet e opozitës dhe kritikëve të kësaj nisme.

Sipas tij, masa nuk nënkupton subvencionim të biletave për qytetarët, por mbështetje për aviokompanitë me qëllim të ruajtjes së linjave ajrore drejt Kosovës gjatë sezonit veror.

Zebica në postimin e tij në Facebook, ka theksuar se ardhja e mërgatës ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe në qarkullimin e bizneseve, duke e cilësuar këtë fluks si jetik për aktivitetin ekonomik gjatë verës. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet se masa mund të ketë ndikim në rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në votime apo qëllime politike, duke e quajtur një interpretim të pasaktë të nismës, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Një shpjegim ndryshe nga ai i propaganduesve mediatikë opozitarë e vet opozitës për masën 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, që parasheh mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që i shërbejnë mërgatës sonë, por edhe turistëve që vijnë në Kosovë gjatë verës.

E para, duhet të sqarohet qartë se kjo masë nuk nënkupton blerje të biletave për udhëtarët. Biletat vazhdojnë t’i blejnë vetë qytetarët që udhëtojnë. Kjo masë mbështet aviokompanitë për të ruajtur linjat dhe për të mos anuluar fluturimet drejt Kosovës që i shërbejnë mërgatës sonë por edhe turistëve të huaj, sidomos gjatë sezonit veror.

Është poashtu e rëndësishme të ceket se mërgata jonë vjen në Kosovë kryesisht gjatë muajve korrik dhe gusht, e jo tash në fillim të qershorit.

Se sa e rëndësishme është ardhja e saj në Kosovë gjatë verës dhe çfarë ndikimi ekonomik ka kjo ardhje, përveç të dhënave zyrtare, më së miri e shpjegojnë vetë bizneset.

Pyetni bizneset: a duhet shteti të bëjë veprime që sigurojnë ardhjen e një numri sa më të madh të mërgatës sonë në Kosovë gjatë verës? Dhe a ka rëndësi ardhja e mërgatës gjatë verës për qarkullimin vjetor të biznesit tuaj?

Do ta merrni përgjigjen e duhur. Ardhja e mërgatës është oksigjen për bizneset e ekonominë.

Shtetet e rajonit ofrojnë skema të tilla për të mbështetur ardhjen e turistëve gjatë verës. Këtë vit kjo është edhe më e rëndësishme për shkak të rritjes së çmimit të kerozinës (si rezultat i luftës në Iran), por edhe për shkak të parashikimeve se shumë fluturime mund të anulohen, sepse mund të bëhen ekonomikisht të paleverdishme për aviokompanitë dhe shumë të shtrenjta për udhëtarët.

Edhe shtete të tjera pritet të zbatojnë masa mbështetëse në këtë sektor, në mënyrë që gjatë verës, kur kërkesa për fluturime dhe numri i fluturimeve të planifikuara janë në nivelin më të lartë, të mos ketë shkurtime të linjave.

E dyta, efekti që kjo pako mund të ketë në fluturimet e qershorit, e sidomos në ditët e para të qershorit, është minimal, pothuajse zero.

Në qershor, përveç që ka më pak fluturime dhe më pak kërkesë për bileta sesa në korrik dhe gusht, edhe kostoja e fluturimeve për aviokompanitë dhe çmimi i biletave është dukshëm më i ulët se në korrik dhe gusht. Po ashtu, biletat për fluturimet e javëve të para të qershorit tashmë janë shitur pothuajse të gjitha.

E treta, mërgata e interesuar për të marrë pjesë në të drejtën e saj themelore të votës si qytetarë të Kosovës, tashmë është regjistruar në numër rekord. Mbi 132 mijë votues, dyfish më shumë se në dhjetor 2025, do të votojnë në ambasada, konsullata dhe me postë. Ndërsa ata që kanë vendosur të vijnë në Kosovë për të votuar fizikisht, tashmë i kanë blerë biletat. Numri i atyre që do të vijnë fizikisht për të votuar është më i vogël se ai i dhjetorit. Nuk ka rëndësi çmimi i biletave, pasi edhe ashtu tash janë më të lira se në verë e më lirë se gjatë dhjetorit.

Pra, kjo mbështetje nuk do ta rrisë numrin e votuesve nga mërgata në këto zgjedhje. ZERO.

E katërta, opozita dhe propaganduesit e saj gjithmonë kanë qenë kundër mbështetjes që është ofruar si për mërgatën, ashtu edhe për njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Ironia më e madhe është se bizneset e tyre përfitojnë më së shumti nga ardhja e mërgatës në Kosovë. Pra, këta mërgatës ia duan vetëm paratë që ajo i sjell në Kosovë, por jo edhe ndikimin që mërgata mund ta ketë në drejtimin politik të vendit. Ky ndikim hiperbolizohet qëllimisht vetëm sepse mërgata tash e përkrah më shumë një parti të caktuar. Po të përkrahte partitë e tyre, këta nuk do të reagonin kështu.

Kosova bën shumë mirë që të ndihmojë sa më shumë ardhjen e mërgatës dhe turistëve gjatë verës. Kështu ndihmohet ekonomia, ndihmohen direkt bizneset dhe mbahet gjallë shteti i Kosovës.

Të Ngjashme