Holanda ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës Eurovision 2027, duke argumentuar se përçarjet lidhur me luftën në Gaza kanë dëmtuar karakterin neutral të konkursit.
Transmetuesi holandez AVROTROS tha se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në festival dhe se Eurovisioni është kthyer në një “platformë për përçarje”.
“Është e pamohueshme që konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në Festivalin Evropian të Këngës, duke minuar karakterin e tij neutral”, deklaroi Taco Zimmerman, drejtor i përgjithshëm i AVROTROS.
Konkursi është përballur me thirrje për bojkot nga disa vende për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit. Organizatorët njoftuan më herët këtë muaj ndryshime në rregulla, duke thënë se vendet e përfshira në konflikte të armatosura mund të përjashtohen nga organizimi i konkursit.
Megjithatë, AVROTROS tha se ndryshimet e fundit nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme se karakteri i pavarur dhe neutral i Eurovisionit është rikthyer.
Izraeli u rendit i dyti në edicionet e Eurovisionit të viteve 2025 dhe 2026, duke qenë pranë fitores në të dyja rastet.
Eurovision 2027 pritet të zhvillohet më 15 maj në Burgas të Bullgarisë, pasi këngëtarja bullgare Darina Yotova, e njohur si Dara, fitoi edicionin e këtij viti në Vjenë me këngën “Bangaranga”.
