Horoskopi

Venecia, qyteti i parë në botë që kërkon një tarifë hyrëse

Mijëra vizitorë në karnavalet e Venecias po shijojnë atë që mund të jetë viti i fundit i aksesit falas për udhëtarët ditorë që duan të vizitojnë qytetin historik, përpara se të hyjë në fuqi një tarifë shumë e debatuar.

Duke filluar nga pranvera e vitit 2024, vizitorët në qytetin italian do të duhet të paguajnë 5 Euro për të hyrë në ditët e pikut. Turistët që nuk paguajnë tarifën prej 5 Euro do të gjobiten nga 50 deri në 500 Euro.

Autoritetet italiane kanë vendosur që të shpërndajnë ditët me pagesë përgjatë vitit dhe jo gjatë një muaji të tërë kalendarik, duke zgjedhur ditët që parashikohen të jenë më të ngarkuara, për shembull fundjavat e festave dhe periudhat e pikut të karnavaleve.

Venecia, me kanalet e saj piktoreske, ka luftuar me efektet e turizmit masiv për vite me radhë dhe ka prezantuar një skemë prove që do të hyjë në fuqi nga 25 Prilli, në përpjekje për të kufizuar numrin në rritje të  vizitorëve ditorë.

Sipas vendimit të autoriteteve italiane, vizitorët mbi 14 vjeç që hyjnë në qytetin e Venecias do të duhet të paguajnë tarifën e vendosur për ditët e përcaktuara nga autoritetet.

Përjashtimet ekzistojnë për vendasit, udhëtarët dhe ata me shtëpi të dyta në qytet, të cilët kanë paguar taksën lokale të pronës, si dhe për turistët që qëndrojnë gjatë natës në qytet dhe ata që marrin pjesë në ngjarje sportive. Këto kategori do duhet të regjistrohen në internet për të rezervuar udhëtimin e tyre.

Simone Venturini: Në këtë fazë eksperimentale, nuk ka pragje të paracaktuara, sepse gjatë këtij eksperimenti ne i qasemi me shumë përulësi, duke besuar se duhet ta përmirësojmë atë, t’i dëgjojmë të gjithë dhe të mësojmë prej tij. Suksesi i këtyre ditëve tashmë është i dukshëm. Janë 4000 prenotime, që do të thotë se 4000 njerëz janë identifikuar përmes aplikacionit dhe kanë bërë një rezervim.

Simone Venturini, këshilltari i qytetit për turizmin, thotë se në 29 ditët eksperimentale të zgjedhura për skemën e pagesave këtë vit normalisht do të  kenë flukse të larta turistike.

Simone Venturini: Nuk do të ketë rrotulla, porta, tela me gjemba apo barriera fizike. Siç është përmendur gjithmonë, do të jetë një formë ndihme për turistin sepse kërkojmë bashkëpunimin e tyre. Është një eksperiment dhe ne nuk jemi të bindur se kemi gjetur zgjidhjen magjike. Është një mjet i parashikuar nga ligji dhe ne po përpiqemi ta bëjmë të funksionojë pas 40 vitesh debati të vazhdueshëm për turizmin në Venecia.

Duke qënë se kjo skemë po vihet në funksion për herë të parë ka edhe disa rreziqe.

Simone Venturini: Për fat të keq, ky sistem nuk ekziston askund në botë, kështu që Venecia është qyteti i parë që zbaton një sistem kaq kompleks. Për më tepër, është një qytet që shërben si kryeqyteti i një rajoni, me një fluks udhëtarësh, punëtorësh, studentësh dhe banorësh, duke e bërë të vështirë adoptimin e një qasjeje të ngjashme me parkun tematik. Ne duam të shmangim që Venecia të bëhet një park ose një muze i mbyllur. Venecia është një qytet i gjallë dhe kontrolli i turizmit të tepërt është i nevojshëm për ta mbajtur atë gjallë.

Por a do të jenë ditët e karnavaleve pjesë e kësaj skeme?

Simone Venturini: Këtë vit, sistemi i rezervimeve nuk përfshin Karnavalet; mund ta përfshijë atë në vitet në vijim. Megjithatë, besoj se profili i turistit që vjen këtu për karnavalet është padyshim një turist brenda natës, dikush që merr disa ditë dhe shpesh kthehet për të festuar karnavalet. Shumë evropianë kthehen çdo vit me miqtë, kanë krijuar miqësi dhe marrëdhënie dhe kanë rregulluar ngjarje që nuk i mungojnë kurrë. Besoj se rezervimi është një nxitje për një lloj turizmi, një turizëm që dëshiron ta shijojë qytetin me më shumë qetësi.

Sipas Venturinit paratë e marra nga tarifat e hyrjes do të mbulojnë koston e sistemit të rezervimit, por asgjë më shumë.

Më herët, shpresohej se paratë mund të shkonin për përmirësimin e objekteve dhe infrastrukturës për banorët, të cilët duhet të përballen me mbeturinat e hedhura në tokë nga turistët e shumtë, të cilët sipas raporteve mund të tejkalojnë banorët e Venecias me rreth pesë herë më shumë në ditët e ngarkuara të vitit.

Megjithatë ,si e kanë pritur vizitorët këtë tarifë ekstra?

Lin Keer: Mendoj se kjo është mjaft e drejtë, sepse po bëhet një qytet  gjithnjë e më i populluar. Kjo është hera e parë që  ndodhem  këtu dhe nuk mund të besoja se kishte kaq shumë njerëz, kështu që nëse duhet të të paguajnë, kjo më duket mjaft mjaft  e drejtë.

Durak Ozdogan: Është qesharake sepse paratë i fiton me turistët, kështu që nuk mund t’i marrësh paratë para se të bëjnë vizitën, përpara se të qëndrojnë nuk  duhet të paguajnë asnjë tarifë . Kjo nuk është logjike.

Maria Rosario Requena: Unë do ta kundërshtoja nëse do të mundja, do të thoja jo, nuk do ta paguaj këtë taksë sepse ky është një qytet që mendoj se është shumë i bukur për t’u vizituar dhe nëse do të vendosin taksë mund të ketë shumë njerëz  që mund të thonë jo.

Ndërsa vendasit janë të përjashtuar nga tarifa, disa banorë shqetësohen se rregullat e reja mund t’i komplikojnë gjërat.

Filippo: Për mendimin tim, thjesht mund të jetë një problem për të gjithë ata që jetojnë përreth Venecias dhe duhet të vijnë këtu sepse mund të duan të vizitojnë të afërmit. Kjo duhet të organizohet mirë. Unë qëndroj në Venecia, kështu që për mua nuk ndryshon shumë. Ne punojmë dhe jetojmë këtu, ndaj nuk kemi probleme me tarifën. Kam dëgjuar që ata që jetojnë afër edhe nëse nuk paguajnë duhet të rezervojnë, por nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Është pak komplekse. Kështu që do të shohim.’

Vlen që të theksohet se fëmijët nën moshën 6 vjeç do të përjashtohen, si dhe personat me aftësi të kufizuara, dhe ata që vijnë në qytet për arsye shëndetësore.

Tarifa e vendosur është më pak nga ajo që ishte propozuar më përpara, pasi që nga viti 2019, autoritetet e qytetit kishin diskutuar për një tarifë që do të shkonte deri në 10 Euro për vizitorët e qytetit.

/a.r