Shëndetësi

‘Vetëm lutesha që të mbijetoja’/ Trajneri i njohur rrëfen betejën tronditëse me hantavirusin

Nga Matteo Tomada, BILD

“Ishin tri javët më të këqija të jetës sime”. Me këto fjalë ish-trajneri i Bundesligës, Ralph Hasenhüttl (58 vjeç, ish-trajner i VfL Wolfsburg dhe RB Leipzig) përshkruan sëmundjen e tij me hantavirus.

Pas tre vdekjeve në anijen turistike Hondius pranë Afrikës, trajneri foli për vuajtjet dhe mënyrën se si virusi e çoi pranë vdekjes në vitin 2012.

Ajo që përjetoi Hasenhüttl tingëllon si një makth: pas një turi me biçikletë malore gjatë një grumbullimi stërvitor, ai fillimisht u ndje i lodhur. Por brenda natës nisën dhimbje të forta. “Ishte sikur dikush po më ngulte një gjilpërë në kokë”, tha austriaku. Pak më vonë iu shtuan edhe dhimbje të forta shpine – “sikur të kisha një thikë në shpinë”.

Më pas erdhi diagnoza tronditëse: Hantavirus. Organet e tij u enjtën, ndërsa mëlçia dhe veshkat ushtronin presion mbi organet e tjera. Hasenhüttl përfundoi në terapi intensive dhe luftoi për dy javë për jetën. Ajo që e bën situatën edhe më të frikshme: nuk ekziston një trajtim specifik. “Duhet të presësh derisa trupi të krijojë antitrupa dhe gjatë kësaj kohe të shpresosh të mbijetosh.”

Ai kujton veçanërisht rrahjet e zemrës gjatë qëndrimit në terapi intensive: ato ishin aq të forta sa zgjohej natën.

Si u infektua me virusin? Me sa duket, gjatë një situate krejt të zakonshme. Sipas tij, mund të jetë infektuar teksa pastronte tarracën e shtëpisë – ndoshta duke thithur pluhur të kontaminuar me virusin.

Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit – përmes jashtëqitjeve, urinës ose pështymës së tyre, grimcat e të cilave përhapen në ajër dhe thithen. Mund të kalojnë dy deri në tre javë para se sëmundja të shfaqet. Fillimisht ajo ngjan me gripin – me temperaturë, dhimbje koke dhe dhimbje trupore. Në fazat e mëvonshme mund të shkaktojë probleme të rënda në frymëmarrje.

Në anijen Hondius ndodhi një shpërthim i hantavirusit me disa viktima.

Se sa i rrezikshëm është infeksioni, kjo po shihet aktualisht në mënyrë dramatike: në kroçerën Hondius pranë Afrikës kanë humbur jetën tre persona. Rreth 150 pasagjerë janë bllokuar në anije, ndërsa disa të infektuar janë evakuuar me avion.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po shqyrton madje nëse në këtë rast virusi mund të jetë transmetuar edhe nga njeriu te njeriu.

 

Të Ngjashme