Lajme

Vetëvendosje s’ka vota për Çitakun e Shalën, njohësi: Praktikë e re që po e vështirëson konstituimin e Kuvendit

Të premten të zgjedhurit e popullit do të rikthehen në sallën plenare.

Krejt kjo në përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Por, në funksionalizimin e organit legjislativ, pengesë e re, u bën dy emrat e propozuar për nënkryetarë nga PDK dhe LDK.

Votë për të dy, nuk kanë nga Vetëvendosja.

“Shiko aty kemi dy probleme, së pari kemi dy individë që kanë dalë kundër dhe po dëshirojnë që vendin të dërgojnë në zgjedhje me çdo kusht me këtë rast e kemi Kujtim Shalën dhe Vlora Citakun. Nuk mund të i japim votë një njeriu i cili mund të themi që ka qenë destruktiv në marrëveshjen në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe është në mesin e gjashtë personave që vendin e çon drejt zgjedhjeve”, u shpreh deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci akuzon partitë opozitare se duan zgjedhje të reja në vend.

“Do të ketë takime këto ditë, për shkak se është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkoj në zgjedhje por ju po e shihni që opozita është që me çdo kusht vendin të çoj në zgjedhje”, tha tutje deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.

E profesori universitar, Avdi Smajljaj thotë se veprimet e fundit në Kuvend, po sjellin një standard i ri në skenën politike.

“Kjo është një praktikë e re mes partive politike, kryesisht zgjedhja e kryesisë së Kuvendit ka qenë një koordinim në mes shefave të grupeve parlamentare dmth në këtë nivel, e tani kjo kërkesë dhe njëjtën kohë deklarata se nuk kemi votë për nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së është një praktikë e re që e vështirëson zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe rrjedhimisht e vështirëson edhe konstituimin e Kuvendit, Qeverisë e pastaj edhe mundësisë që të kemi president. E kjo ndoshta mund të shihet edhe si përpjekje për ti bërë presion partive të tjera opozitare”, ka deklaruar profesori universitar, Avdi Smajljaj.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Por seanca nuk vazhdoi tutje pasi partitë politike nuk u morën vesh për formën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit.

 

 

Të Ngjashme