Familjarë, miq, kolegë dhe figura të njohura të ekranit i dhanë lamtumirën e fundit ish-banorrit të BBVK3.
Në Llukar të Prishtinës është zhvilluar sot ceremonia e varrimit të Laurent Krasniqit, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti me motor.
Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë, të cilët u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut.
Mes të pranishmëve ishin edhe figura të njohura të ekranit dhe rrjeteve sociale, si Gjesti, Gimbo dhe Selin.
Prania e Gjestit tërhoqi veçanërisht vëmendjen, pasi ai kishte ndarë me Laurent Krasniqin eksperiencën në edicionin e tretë të **Big Brother VIP Kosova**. Dyshja kishte kaluar disa javë së bashku brenda shtëpisë së reality show-t, ku kishin krijuar një raport miqësor.
Laurent Krasniqi ishte i njohur për publikun si TikToker dhe ish-banor i BBVK3. Ai humbi jetën pas një aksidenti me motor gjatë natës së së mërkurës në Prishtinë.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta shkaktoi reagime të shumta te familjarët, miqtë dhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Sot, në Llukar, ata që e njohën Laurent Krasniqin u mblodhën për ta përcjellë në banesën e fundit, në një ceremoni të mbushur me dhimbje dhe pikëllim.
