Dy vëllezërit Rudolf e Brajan Kuçi dhe miku i tyre, Bashkim Ahmeto kanë rënë në prangat e Policisë së Fierit, pasi lëviznin të armatosur dhe me makina të blinduara. Shërbimet u kanë bërë shenjë të ndalonin, por ata nuk u janë bindur urdhrave dhe kanë tentuar të largohen.
Në këto kushte, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier dhe të Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me “Shqiponjat” dhe me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Armed”.
Rudolf e Brajan Kuçi dhe miku i tyre, Bashkim Ahmeto qarkullonin të armatosur dhe në momentin që kanë parë shërbimet e Policisë, kanë tentuar të largohen dhe të fshehin armët duke i hedhur në një zonë me bimësi.
Menjëherë, efektivët u janë vënë në ndjekje dhe në fshatin Fermë Çlirim i kanë arrestuar në kushtet e flagrancës, dy vëllezërit 24 dhe 25 vjeç dhe mikun e tyre, 50 vjeçar. Të tre këta shtetas janë banues në fshatin Sulaj, Fier.
Nga kontrolli i zonës ku është realizuar ndjekja policore janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjete të blinduara që u gjetën në një karburant.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo