Lajme

VIDEO/ Si u futën tymueset në Kuvend përmes çantave të deputeteve demokrate

Një “deja vu” të së enjtes së kaluar, pamë dhe gjatë kësaj seance plenare në Kuvend. Ashtu si dhe deputetët e opozitës kishin njoftuar më herët, edhe këtë të enjte seanca u zhvillua mes trazirave dhe rrëmujës që deputetët demokratë krijuan. Herën e kaluar përdorën flakadanë, ndërsa këtë të enjte kishin ardhur me një risi, tymueset.

Fillimisht opozitarët mbërritën në Kuvend ku grumbulluan karriget dhe i vendosën pirg përpara foltores. Më pas nxorën tymueset, të cilat kishin arritur t’ i fusnin në sallën e Parlamentit përmes çantave të deputeteve demokrate.

Siç shihet qartë dhe nga pamjet kamerat kanë kapur momentin kur deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, fut dorën në çantën e koleges së tij dhe nxjerr tymuesen.

Kamera e LSA, kapën ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili shihet teksa nxjerr një shami dhe fshinë sytë që i lotojnë nga tymi. Vështirësi ka pasur në komunikim edhe kryetaja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila teksa po kalonte për votim projektligjet vazhdimisht kollitej.

Kjo është seanca e katër që në Kuvend situata është kaotike. Deputetët e Partisë Demokratike janë shprehur se nuk do të lejojnë që seancat të zhvillohen normalisht deri sa të pranohen kërkesat e tyre për komisionet hetimore.