Vetëm një rast me virusin e Nilit është konfirmuar në Kosovë. Infektologët thonë se nuk ka vend për shqetësim, por këshillojnë qytetarët që të kenë kujdes.
Pas raportimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik se është konfirmuar rasti i parë me virusin e Nilit, nuk ka pasur raste të tjera në Kosovë.
“Në aspektin epidemiologjik, kemi një situatë të qetë sa i përket virusit të Nilit Perëndimor. Ne kemi një pacient që ka pasur indikacion të hospitalizohet në Klinikën Infektive. Nuk kemi pacientë të tjerë të shtruar në klinikë me këtë virus”, tha për RTK-në Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK.
Vishaj shtoi se nuk ka vend për shqetësim. E infektologu Shemsedin Dreshaj tha se virusi i Nilit bartet nga pickimi i mushkonjave, duke u paraqitur në forma të ndryshme klinike.
“Virusi i Nilit Perëndimor, ka një gamë të gjerë të paraqitjes klinike duke filluar në shumicën e rasteve si gjendje febrile, pra si gjendje me temperaturë me ndonjë kokëdhimbje të lehtë, me disa puqrra nëpër trup dhe kalon si e këtillë. Pastaj mund të jetë me ndonjë temperaturë të lehtë ose pa temperaturë, varet si është forma dominuese, pasatj vijnë forma tjera të cilat manifestohen duke prekur sistemin nervorë qendror në të gjitha variantet të cilat ne i njohim nga aspekti klinik – duke filluar si meningjit, si meningocefalit e forma të tjera”, tha Dreshaj.
Përveç rekomandimeve për kujdes të shtuar ndaj ekspozimit të mushkonjave, Dreshaj tha se deri më tani nuk ka ndonjë vaksinë të zbuluar për këtë virus, duke shtuar se parandalimi duhet të bëhet përmes dezinstektimit dhe higjienës.
ks