Shëndetësi

Vitamina Q10: Sekreti i energjisë, lëkurës rinore dhe shëndetit të zemrës

Vitamina Q, e njohur gjithashtu si koenzima Q10 ose ubikinona, po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet për rolin e saj kyç në energjinë dhe mirëqenien e trupit. Kjo molekulë, e prodhuar natyrshëm nga organizmi dhe e pranishme në çdo qelizë, ndihmon trupin të shndërrojë ushqimin në energji dhe ka efekt të fuqishëm antioksidues, duke ngadalësuar procesin e plakjes së qelizave.

Koenzima Q10 luan rol të rëndësishëm në funksionimin e organeve si zemra, mëlçia, pankreasi dhe veshkat, ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe përmirëson elasticitetin e lëkurës, duke e bërë atë më të tonifikuar dhe të rinovuar. Për këtë arsye, përdoret shpesh edhe në kremrat kundër rrudhave dhe produkte kozmetike rinovuese.

Një nga përfitimet më të njohura të vitaminës Q është lufta kundër lodhjes dhe rritja e energjisë, veçanërisht pas moshës 50-vjeçare, kur prodhimi natyral i saj nga trupi fillon të ulet. Studimet tregojnë gjithashtu se koenzima Q10 mund të ndihmojë në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak dhe uljen e kolesterolit të keq (LDL).

Vitamina Q gjendet kryesisht në ushqimet shtazore si mishi i viçit, pulës dhe derrit, sidomos mëlçia, dhe tek peshqit yndyrorë si salmoni, tuna dhe sardele. Sidoqoftë, shumë njerëz e marrin edhe në formë suplementi, për të ruajtur nivelet optimale të energjisë dhe shëndetit.

Sipas rekomandimeve, nevoja ditore për vitaminë Q varion nga 100 deri në 200 mg, dhe përthithet më mirë kur merret gjatë vakteve që përmbajnë yndyrna të shëndetshme. Para përdorimit të saj si suplement, rekomandohet konsultimi me mjekun ose farmacistin, sidomos për personat me probleme shëndetësore ose ata që marrin medikamente.

Të Ngjashme