Ditën e parë, kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë vizituar Luginën e Preshevës, ku janë takuar me përfaqësues politikë shqiptarë.
Gjatë kësaj vizite, Self dhe Subramanyam kanë zhvilluar takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepi, si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Lidhur më këtë vizitë, Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Luginën e Preshevës ka peshë të madhe politike dhe simbolike, duke dëshmuar se çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbetet në vëmendjen ndërkombëtare.

Dashnim Hebibi
Ai theksoi se gjendja në rajon pasqyrohet nga zbrazja e qyteteve, emigrimi i të rinjve, rënia e numrit të nxënësve, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe izolimi i zonave kufitare, ndërsa kërkoi që vëmendje të veçantë të ketë edhe për Medvegjën.
“Më 26 maj, shqiptarët e Luginës së Preshevës përjetuan një ditë të veçantë dhe me peshë të madhe politike e simbolike. Vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam është një moment që tejkalon protokollin diplomatik dhe shndërrohet në një mesazh të qartë se çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk është e harruar në agjendat ndërkombëtare.
Kjo vizitë përjetohet me emocion dhe shpresë, pasi Amerika ka qenë dhe mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të shqiptarëve. Ashtu si dikur në Kosovë, kur delegacionet amerikane priteshin nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, edhe sot kjo vizitë sjell kujtimin e asaj politike të urtë dhe vizionare që Rugova e ndërtoi mbi miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai besonte se kjo miqësi ishte garancia më e fortë për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Mjafton që mysafirët amerikanë të ecin nëpër rrugët e Preshevës për të kuptuar realitetin. Qyteti i zbrazur flet vetë: shtëpi të mbyllura, lagje me gjithnjë e më pak banorë dhe një rini që po largohet çdo ditë. Kjo nuk është zgjedhje e lirë, por pasojë e mungesës së perspektivës, investimeve dhe kushteve të barabarta për jetë dhe zhvillim.
Ata do të shohin edhe gjendjen e arsimit, ku dikur një nga shkollat fillore më të mëdha në Serbi sot përballet me rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve. Klasat që dikur ishin të mbushura, sot pasqyrojnë një krizë të thellë demografike që lidhet drejtpërdrejt me emigrimin masiv.
Një tjetër realitet i rëndësishëm është mungesa e një spitali të denjë në Preshevë. Në shekullin XXI, qytetarët e kësaj treve ende përballen me mungesë të shërbimeve bazike shëndetësore, duke u detyruar të udhëtojnë larg për trajtime mjekësore. Kjo nuk është vetëm çështje infrastrukture, por çështje e të drejtave themelore njerëzore.
Po aq e rëndësishme është që vëmendja të mos përqendrohet vetëm në një pjesë të Luginës. Medvegja nuk duhet harruar. Ajo mbetet shembulli më i dhimbshëm i zbrazjes demografike dhe margjinalizimit institucional. Atje, pasojat e pasivizimit dhe emigrimit janë edhe më të rënda, duke lënë pas vendbanime gjithnjë e më të boshatisura.
Në këtë kontekst, vizita e kongresistëve amerikanë është një mundësi për të parë nga afër edhe realitetin e kufijve me Maqedoninë e Veriut, të cilët dikur ishin funksionalë dhe lehtësonin jetën e qytetarëve, por sot mbeten të mbyllur, duke izoluar komunitete dhe duke penguar zhvillimin ekonomik dhe social”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Hebibi ka vlerësuar se vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam mund të rrisë vëmendjen ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por ka theksuar se ajo duhet të shërbejë edhe si thirrje për unitet politik mes faktorëve shqiptarë.
“Po, kjo vizitë ka potencial të rrisë vëmendjen ndërkombëtare ndaj gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Prania e përfaqësuesve të Kongresit amerikan është sinjal i qartë se situata po ndiqet dhe po vlerësohet në nivele të rëndësishme politike.
Megjithatë, kjo vizitë duhet të shërbejë jo vetëm për rritje vëmendjeje ndërkombëtare, por edhe si thirrje për reflektim të brendshëm. Faktori politik shqiptar në Luginë nuk duhet të bjerë në grackën e garave për merita apo “rrahjes së gjoksit” se kush e organizoi apo kush e solli delegacionin. Qytetarët nuk kanë nevojë për propagandë politike, por për rezultate konkrete.
Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet politik dhe shoqëror. Është e domosdoshme që përfaqësuesit shqiptarë të gjejnë module bashkëpunimi dhe koordinimi rreth interesave të përbashkëta të qytetarëve. Vetëm të bashkuar mund të paraqiten qartë kërkesat legjitime për të drejtat, zhvillimin dhe dinjitetin e shqiptarëve në këtë rajon.
Në këtë kuadër, duhet të mos harrohet as një nga çështjet më të ndjeshme: Medvegja. Po ashtu, duhet të theksohet mungesa e spitalit në Preshevë, si një nga nevojat më elementare dhe urgjente për qytetarët, pasivizimi i adresave, etj. Këto nuk janë kërkesa politike, por standarde bazike të jetesës.
Ashtu siç Ibrahim Rugova dikur e ndërtoi vizionin e Kosovës mbi urtësi, unitet dhe miqësi me Amerikën, edhe sot shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë nevojë për të njëjtën qasje: maturi politike, bashkim dhe fokus te interesi i qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Tutje, Hebibi ka përmendur si shqetësime kryesore zbrazjen demografike, mungesën e investimeve, mungesën e një spitali funksional në Preshevë dhe gjendjen e rëndë në Medvegjë, duke i cilësuar këto si çështje që lidhen me të drejtat e njeriut dhe barazinë institucionale.
“Shpresohet që kjo vizitë të mos mbetet vetëm simbolike, por të shndërrohet në një pikë kthese. Mjafton të shihet realiteti: qyteti që zbrazet, shkollat me më pak nxënës, mungesa e spitalit, gjendja e Medvegjës dhe rinia që largohet. Këto janë fakte që flasin vetë dhe kërkojnë vëmendje serioze dhe veprim konkret nga të gjitha palët. Në përmbyllje, vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Luginën e Preshevës duhet të lexohet si një zhvillim me peshë të qartë politike dhe diplomatike, jo vetëm si një ngjarje simbolike. Kjo vizitë vjen në një moment kur çështjet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkojnë vëmendje të shtuar ndërkombëtare, qasje më të strukturuar politike dhe trajtim më serioz institucional.
Realiteti në terren mbetet i rëndë dhe i dokumentueshëm: zbrazje e vazhdueshme demografike, mungesë investimesh, diskriminim i perceptuar institucional, mungesë e një spitali funksional në Preshevë, si dhe situata veçanërisht shqetësuese në Medvegjë, e cila shpesh mbetet jashtë fokusit politik dhe medial. Këto nuk janë vetëm probleme lokale, por çështje politike që lidhen drejtpërdrejt me standardet e të drejtave të njeriut dhe parimet e barazisë brenda një shteti.
Në këtë kontekst, është thelbësore që faktori politik shqiptar në Luginë të kalojë nga logjika e ndarjeve dhe garave për protagonizëm, drejt një strategjie të përbashkët politike. Nuk është koha për fragmentim politik, as për kapitalizim individual të vizitave ndërkombëtare. Është koha për unifikim rreth një platforme të qartë politike që artikulon kërkesa të përbashkëta dhe të matshme për të drejtat, zhvillimin dhe përfaqësimin institucional të shqiptarëve.
Në aspektin gjeopolitik, prania e përfaqësuesve amerikanë në terren ka rëndësi të veçantë, sepse e vendos Luginën e Preshevës në radar më të gjerë ndërkombëtar. Kjo krijon mundësi për rritje të presionit diplomatik dhe për shtim të interesimit të aktorëve perëndimorë në raport me respektimin e të drejtave të komunitetit shqiptar në këtë rajon”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Hebibi ka deklaruar se situata e sigurisë dhe prania e shtuar e forcave të armatosura shtetërore në disa zona të Luginës së Preshevës ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve, duke kërkuar qasje të kujdesshme politike, transparencë dhe shmangie të tensioneve.
“Në të njëjtën kohë, realiteti i sigurisë dhe prania e shtuar e forcave të armatosura shtetërore në disa zona të Luginës mbetet një faktor që ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve. Në aspekt politik, kjo kërkon qasje të kujdesshme, transparencë dhe shmangie të çdo eskalimi të panevojshëm, duke ruajtur stabilitetin dhe duke forcuar besimin e qytetarëve në institucione dhe në procesin politik.
Në këtë kuptim, mesazhi që duhet të dalë nga kjo vizitë është i qartë: Lugina e Preshevës nuk mund të trajtohet si çështje e dorës së dytë. Ajo kërkon politikë të përgjegjshme, dialog serioz dhe përfshirje të vazhdueshme ndërkombëtare për të garantuar standarde të barabarta dhe të drejta të plota për të gjithë qytetarët.
Ashtu siç në periudha të mëhershme lidershipi i Ibrahim Rugovës arriti ta ndërkombëtarizojë çështjen shqiptare përmes unitetit dhe diplomacisë së qëndrueshme, edhe sot nevojitet një qasje e ngjashme strategjike: e bashkuar, e matur dhe e orientuar drejt aleancave të forta ndërkombëtare.
Në fund, kjo vizitë duhet të shërbejë si pikë reflektimi politik: për të forcuar unitetin e brendshëm shqiptar, për të rritur seriozitetin institucional dhe për të ndërtuar e ruajtur një platformë të përbashkët që e vendos çështjen e Luginës së Preshevës në agjendën e qëndrueshme ndërkombëtare, ribashkim me Kosovën”, ka përfunduar Hebibi.
