LifeStyle

Vjedhje në vilën e Kim Kardashian, 27 vjeçari merr edhe makinën e stafit

 

Kim Kardashian ka rënë pre e një incidenti të pazakontë në vilën e saj luksoze në Hidden Hills, Kaliforni. Një 27-vjeçar dyshohet se hyri me forcë në pronën e yllit amerikan të reality show-t dhe, përveçse mori disa sende, mori edhe makinën e një prej pjesëtarëve të stafit të saj për të bërë një xhiro në zonën përreth.

Sipas burimeve të autoriteteve, të cituara nga TMZ, ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, më 9 gusht. I riu dyshohet se hyri në vilën e Kardashian, me vlerë rreth 60 milionë dollarë, pasi theu një derë.

Një prej pjesëtarëve të sigurisë e pikasi të dyshuarin teksa merrte sende nga banesa dhe i ngarkonte në një automjet.

Ai gjithashtu mori edhe makinën e një anëtari të stafit të Kardashian dhe u largua me të për të lëvizur në zonën përreth.

Punonjësi i sigurisë njoftoi menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendngjarje dhe arrestoi të dyshuarin. Sipas raportimeve, ai është identifikuar si Trey Mendel dhe u ndalua nën dyshimin për grabitje dhe hyrje të paligjshme në banesë.

Gjatë incidentit nuk pati të lënduar dhe gjithashtu policia nuk gjeti armë në posedim të 27-vjeçarit.

Kim Kardashian e bleu pronën luksoze në Hidden Hills, në zonën e Calabasas, së bashku me ish-bashkëshortin e saj, Kanye West, në vitin 2014, në të njëjtin vit kur çifti u martua në Firence të Italisë.

Në atë kohë, ata paguan rreth 20 milionë dollarë për pronën. Më pas, Kanye West mori përsipër një rikonstruksion të gjerë të vilës, i cili raportohet se kushtoi edhe rreth 20 milionë dollarë të tjera.

Pas kërkesës për divorc në vitin 2021, Kardashian arriti të mbante pronën. Sipas raportimeve, ajo dhe West ranë dakord që Kardashian t’i blinte ish-bashkëshortit pjesën e tij të pronës, duke bërë që vila luksoze të mbetej në pronësinë e saj.

Kim Kardashian dhe Kanye West nisën lidhjen në vitin 2012 dhe u martuan në maj të vitit 2014, ndërsa së bashku kanë katër fëmijë. Pas afro shtatë vitesh martesë, Kardashian bëri kërkesë për divorc në shkurt të vitit 2021. Çifti u shpall zyrtarisht i divorcuar në nëntor të vitit 2022, pas një procesi që zgjati rreth dy vjet.

 

Të Ngjashme