Lajme

Vllaznia bëhet gati për irlandezo-veriorët e Linfield

Janë ditët e fundit të fazës përgatitore të Vllaznisë në Medjugore të Bosnjes, ose më saktë kanë mbetur edhe 3 ditë. Nën skepticizimin e ndryshimeve të mëdha, për shkak të lëvizjes së politikave brenda klubit, kuqeblutë vazhdojnë të punojnë, duke patur mendjen te debutimi në Conference League. Esin Hakaj, sidoqoftë, është optimist duke parë mirëkuptimin që mbizotëron brenda grupit.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë, djemtë janë të mirë, punojnë shumë, shpresoj të jetë kështu gjatë gjithë vitit”.

Në pankinën e shkodranëve tani është ulur Migen Memelli dhe i takon atij t’i japë besim një grupi të riformuar, por ku kualiteti nuk mungon. Hakaj ka dashur të japë edhe një opinion të parë për Memellin, që duket se ka fituar shpejt besimin e lojtarëve.

“Trajneri Memelli është munduar të bëjë më të mirën. Po mundohemi të zbatojmë sa më mirë deteyrat që na jep dhe shpresojmë të kalojmë sa më shumë ture”.

Ndeshja me Linfield po afron, por irlandezo-veriorët nuk është se e frikësojnë shumë Vllazninë. Përtej një skuadre fizike, për Hakaj ata nuk janë aspak të pakalueshëm.

“Është një kundërshtar i vështirë, por nuk mund të themi se është i pakalueshëm. Ne duhet të bëjmë më të mirën, të japim maksimumin duke zbatuar detyrat që na jep trajneri dhe besoj se mundësitë janë 50 me 50”.

Vllaznia do të luajë në transfertë ndeshjen e parë të raundit të parë të Conference League me 13 korrik, ndërsa do të luajë pastaj gjithçka për kualifikimin në “Loro Boriçi”, një javë më pas.Vllazni