Lajme

Vrasja e Ardian Nikulajt, Maroku i dorëzon Shqipërisë telefonin e Ruben Saraivës

Autoritetet marokene i kanë dorëzuar homologëve shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës, i cili ekzekutoi biznesmenin Ardian Nikulaj në prill të këtij viti në Shëngjin.

Hetuesit shqiptarë do të përdorin telefonin e Ruben Saraivës për të zbërthyer mesazhet dhe telefonatat që ai ka shkëmbyer me katër britanikët bashkëpunëtorë dhe porositësin e vrasjes, Edmond Haxhia.

Burime bëjnë me dije se nga ana tjetër, marokenët, të cilët arrestuan Ruben Saraivën më shumë se 6 muaj më parë, pas një kohe të gjatë pa përgjigje, i kanë kërkuar palës shqiptare prova shtesë në kërkesën e tyre për ekstradim të vrasësit gjakftohtë në drejtim të Tiranës, raporton gazetari Sokol Dema. Përmes Ministrisë së Drejtësisë pritet të dërgohen në vijim materiale të tjera provash të hetimeve të muajve të fundit mbi ngjarjen, me të cilat do të synohet sjellja e portugezit në Shqipëri
Katër britanikët akuzohen nga autoritetet në Shqipëri se janë financuar dhe porositur nga Edmond Haxhia për të vrarë biznesmenin dhe politikanin lezhjan.

Edmond Haxhia është nipi i Elton Lekstakaj, i cili kanë qenë në hasmëri me fisin Nikulaj prej vitit 1997. Ardian Nikulaj u ekzekutua në prill të 2023 teksa ishte duke konsumuar kafe në ambientet e lokalit të tij në Shëngjin.

Rolet e të akuzuarve në vrasje:

Edmond Haxhia akuzohet se ishte ai porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit.