Në fillim të vitit, mori dënim me burgim prej 18 vjetësh.
Mirëpo, Endrit Nika, betejën për akuzën për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, po e vazhdon edhe në Gjykatën e Apelit.
Në seancë nuk prezantoi Prokuroria e Apelit.
Megjithatë, përmes gjyqtarit raportues u tha se është kërkuar dënim më i lartë se ai prej 18 vitesh burgim i shqiptuar në shkallë të parë.
“Dënimi të ashpërsohet në proporcion me seriozitetin ekstrem të veprës penale, shkallën e lartë të fajësisë dhe pasojat e shkaktuara”, tha Mentor Hajraj – gjyqtar raportues.
Kurse nga familja e Maria Klarës Urdangaray, u kërkua që Endrit Nika të dënohet me burgim të përjetshëm.
“Sa i përket lartësisë së dënimit, me propozimin që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm”, u shpreh ai.
Kohë më të gjatë në apelim të vendimit të shkallës së parë, mori mbrojtja e të akuzuarit.
Avokati i Endrit Nikës, Tomë Gashi, fillimisht njoftoi se ka ushtruar padi ndaj pronarëve të objektit ku ka ndodhur ngjarja, duke pretenduar se ajo ndërtesë nuk plotësonte kushtet teknike.
“Ky objekt kurrë nuk ka qenë i legalizuar, ky objekt është legalizu faktikisht një vit e gjysmë pasi që Klara fatkeqësisht ka vdekë, duke ra nga një objekt i cili nuk është hotel. Dhe arsyeja e vdekjes së Klarës, nuk është klienti im. Fajtor është drejtori, respektivisht pronari i hotelit. Për shkak se hoteli nuk është shtëpi” , tha Gashi.
Pjesë e kontestimit të tij, është edhe ekspertiza e kryer një vit e gjysmë pas ngjarjes, çka sipas tij kjo ka mundësuar edhe ndërhyrje në vendin e ngjarjes.
“Kur kanë shku ekspertët kanë gjetë një dritare krejtësisht tjetër, mirëpo jo dritare ata thonë të njëjtë me katet më poshtë. Kanë gjetë në dhomën 403 një dritare e cila është krejt ndryshe, i ka tre xhama. Dritarja me kornizë që ka ra i ka pasë dy xhama dhe e gjejnë me dhjetë bulona”, u shpreh avokati i të akuzuarit.
Mirëpo, sipas tij edhe në gjetjet e kësaj ekspertize nuk është bazuar fare aktgjykimi dënues i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Qysh është e mundur që në të njëjtën kohë, ekspertët thonë se jo me shtyrje, nuk ka mujt dy vetë të peshave 120 kilogramë, me shty dritaren, “që me shtyrje që i ka bërë të dëmtuarës, viktimës, Maria Clara, me nxjerrë kornizën”, shtroi dilemën e tij Gashi.
Bazuar në këtë, Tomë Gashi kërkon lirimin e Endrit Nikës, duke theksuar se vdekja e Maria Klarës ishte aksidentale si pasojë e ndërtimeve jokualitative të objektit.
“Klara ka ra aksidentalisht dhe për aksidente dihet çka duhet m’u bo. Duhet me liru Endritin. Sepse është diçka që nuk mundet askush me vërtetu që për shkak të shtyerjeve ka mujt që prej poshtë – lartë, e që mos me dalë unë që veç po e thom pa prova, nëse ish thy xhami kish me qenë situatë krejt tjetër, nëse kish ra veç xhami kish me qenë prapë situatë krejt tjetër, sepse kishim mujt me fajësu jo silikoni, jo kjo. Ka ra korniza. Hej, imagjinoni ka ra krejt korniza, është njejtë si ma ra muri”, tha ai.
Sipas kolegjit të Gjykatës së Apelit vendimi do të shpallet brenda kohës së arsyeshme.
