Natën e 21 prillit 1999, në Mitrovicën e Veriut u vranë Rushit dhe Zahide Rushiti, një ngjarje që edhe sot mbetet e pazbardhur.
Ngjarjen e kishte parë nga afër doktor Salih Haxhiu, atëkohë fqinj i tyre. Sipas tij, Rushiti një natë më parë kishte qenë mysafir në banesën e tij dhe më pas ishte kthyer në shtëpi, ndërsa mëngjesin e nesërm kishte dëgjuar zhurma në korridorin e ndërtesës.
“Jom dal i kom pa vatrogast te dera e Rushitit. Thashë hajt t’kqyri, kush është çka është?! Kur kqyri ata dojshin me qel derën e me hi, jam hi edhe unë me ta, e kam pa Rushitin ratë n’kauç n’shpinë… e kam pa u kanë Zahidja,” rrëfen Haxhiu.
Ai thotë se më pas ka dhënë deklaratë për rastin para organeve kompetente.
“Tybe n’dijsha por te Muharrem Ramadani osht kanë prokuror, te ai e kam dhanë. Atë gjene edhe jau gjen deklaratën,” tha ai.
Haxhiu shton se nga banesa dilte tym, ndërsa gjithçka ishte përfshirë nga shkrumbi.
“Jo, zjarr s’ka pas veq tim, tim tim, tim,” tha ai.
Pavarësisht dëshmisë së dhënë menjëherë pas luftës dhe rrëfimeve të mëvonshme, rasti i vrasjes së çiftit Rushiti mbetet ende i pazbardhur. Sipas një artikulli të vitit 2003, i dyshuari për këtë krim ishte gjykuar në Serbi, por ishte liruar si i pafajshëm.
