Lajme

Vrasja e Liridonës, sociologu: Naim Murseli e kishte planifikuar që prej një viti

Vrasja e Liridonës në Prishtinë me urdhër të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, ka tronditur mbarë opinionin publik në Kosovë e Shqipëri.

Lidhur me ngjarjen ka folur në emisionin “Ora e Pasdites” në Klan Kosova, sociologu Jeton Brajshori. Sipas tij vrasja e Lirdonës dyshohet të jetë planifikuar prej një viti.

Ai tha se ka kuptuar që Naim Murseli e ka planifikuar vrasjen e të shoqes prej një viti.

“Kemi menduar t’ia gjejmë profilin vrasësit çfarë vrasësi mund të jetë, a mund të jetë me probleme mendore, a mund të jetë vrasës i cili që ka qenë i abuzuar si fëmijë apo vrasës që ka qenë i bullizuar në shkollë, por mbrëmë e kuptova që vrasësi e ka planifikuar vrasjen që një vit. Zakonisht kur ndodhin vrasjet, burri që e vret gruan ndodh vrasje ose në afekt ose e paramenduar. Në shoqërinë tonë dhuna ka filluar të bëhet normalitet, në momentin që dhuna bëhet normalitet në një shoqëri atëherë e ardhmja është jashtëzakonisht e zymtë”, u shpreh Brajshori.

Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë. Fillimisht u tha se ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.

Mirëpo, më pas rezultoi se ishte bashkëshorti i saj ai i cili kishte porositur vrasjen e saj. Ky i fundit së bashku me dy fëmijët e çiftit u larguan nga mjeti, duke lënë 30-vjeçaren në makinë aty ku dhe ndodhi vrasja.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit. Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutor. Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.