Lajme

Vrasja në Fier, policia gjen makinën e autorëve në grazhdin e një 70-vjeçari

efundit

Është gjetur dhe sekustruar makina e 2 vëllezërve Gashi, të cilët pak ditë më parë ekzekutuan Elton Javori në qytetin e Fierit.

Policia ka proceduar një 70-vjeçar, pasi makina e autorëve ishte e fshehur në garazhin e banesës së tij. Është proceduar Rexhep Puka, burri i tezes së autorëve, të cilët ndodhen në arrati.

Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje 70-vjeçari u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1  armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Kujtojmë që Kreshnik Gashi dhe Agim Gashi janë shpallur në kërkim nga Policia e Fierit për vrasjen e ndodhur 3 ditë më parë në Fier. Në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi Elton Javori, 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi Elton Javori, ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 41 vjeçari ka mbetur i vrarë. Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit Agim Gashi, 35 vjeç dhe Kreshnik Gashi, 33 vjeç (vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim.

Njoftimi i plotë:

Fier/Gjendet dhe sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së 41-vjeçarit, më datë 07.12.2023.

Procedohet penalisht 70-vjeçari që kishte fshehur në garazhin e banesës së tij, këtë automjet.

Sekuestrohen 1 automjet tjetër, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme, që do t’i shërbejnë hetimit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datë 7 dhjetor, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi E. J., 41 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit të përdorur nga autorët gjatë ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 70 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në garazhin e mbyllur, u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i përdorur nga shtetasit A. G. dhe K. G., gjatë vrasjes së shtetasit E. J.

Na këqyrja e këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gezhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri.

Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje shtetasi R. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1  armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensivisht për kapjen e autorëve, shtetasve A. G. dhe K. G., dhe dokumentim e plotë të rrethanave ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit R. P., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo