Mbrëmja e së dielës, doli të jetë fatale për një të ri nga Gjakova.
E gjitha ngjarja ndodhi në orën 21:30 këtu në rrugën “Ali Ibra”, pas një përleshje fizike mes disa personave.
Si pasojë e kësaj, një 18 vjecar humbi jetën pasi u godit më mjet të mprehtë.
Ndërsa të lënduar mbetën edhe tre persona të tjerë.
Për shkak të gjendjes së rëndë emocionale, familjarët e viktimës nuk pranuan të japin detaje për rastin.
Ndërkohë nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, u bë e ditur se viktima kishte plagë të rënda në shpinë dhe se në spital arriti pa shenja jete.
Ndërsa Policia e Kosovës, e bën të ditur se me lëndime përfundoi edhe dorasi i dyshuar.
“Si pasojë e këtij incidenti, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Njëri nga të lënduarit, mashkull i lindur në vitin 2008, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra (dyshohet nga një mjet i mprehtë). Ndër të lënduarit është edhe personi i dyshuar (mashkull i moshës madhore) i cili me vendim të prokurorit të shtetit është ndalur në mbajtje dhe është nën mbikëqyrjen e policisë. Lidhur me ngjarjen është iniciuar rast për hetim “vrasje e rëndë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Arrestimin e dorasit të dyshuar, e konfirmoi të hënën edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës.
“Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprës penale “Vrasja e Rendë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosoves (KPRK).Eshtë arrestuar personi i dyshuar me inicialet I.S. dhe me vendim të prokurorit, i njjti eshte ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.Prokurori i Shtetit ne bashkepunim te ngushte me Policine e Kosovës, shtë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet enevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me kete rast”, ka njoftuar Prokuroria.
Ndërsa me vendim te Prokurorit te Shtetit, trupi i pajete i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
