Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vendimin e Gjykatës Supreme, e cila hodhi poshtë ankesën e saj lidhur me shfrytëzimin e sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë për aktivitete zgjedhore.
LVV ka pretenduar se ka respektuar procedurat ligjore dhe se ka qenë subjekti i parë që ka paraqitur kërkesë pranë organit kompetent për marrjen e lejes.
Sipas kësaj partie, kërkesa e saj është dorëzuar më 8 maj, menjëherë pas konstituimit të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prishtinë, ndërsa pretendon se kërkesa e PDK-së është bërë disa ditë më herët, para krijimit të institucionit përgjegjës për trajtimin e tyre.
LVV vlerëson se interpretimi i bërë në këtë rast krijon një precedent problematik, pasi sipas saj, po trajtohen si të vlefshme kërkesa të dorëzuara para se të ekzistonte organi kompetent për shqyrtimin e tyre.
Në reagim thuhet se një qasje e tillë cenon parimin e barazisë para ligjit dhe të drejtën për organizimin e tubimeve publike, të garantuar me Kushtetutë.
Partia në pushtet ka paralajmëruar se një praktikë e tillë mund të sjellë pasoja edhe në proceset e ardhshme zgjedhore, duke krijuar paqartësi rreth procedurave për rezervimin e hapësirave publike për fushatë.
“Mjafton të hedhësh një letër diku, para se institucioni të lindë, dhe ajo letër shndërrohet në të drejtë. E drejta e tubimit, e garantuar me Kushtetutë, mund të merret edhe me një kërkesë të bërë në vakum institucional. Kjo nuk është procedurë. Kjo nuk është zbatim i ligjit. Kjo është shkelje e ligjit dhe manipulim i pastër”.
