Vota e diasporës edhe në këto zgjedhje u dëshmua vendimtare për Lëvizjen Vetëvendosje, duke i siguruar mandate shtesë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e Kuvendit.
Në anën tjetër, partitë opozitare mbetën dukshëm prapa në mbështetjen e mërgatës, duke hapur debat për lidhjen e tyre me qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
Dashnim Hebibi, presidenti i Institutit Shkencor Helvetik për Evropën Juglindore me seli në Zvicër, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se mbështetja e diasporës për LVV-në nuk është rastësi, por rezultat i një procesi të gjatë politik dhe shoqëror.
Sipas tij, mërgata, sidomos gjeneratat e reja, kërkon institucione funksionale, luftë kundër korrupsionit dhe zhvillim ekonomik. Pikërisht për këtë arsye, LVV ka arritur të fitojë besimin e një pjese të madhe të diasporës, duke u perceptuar si forcë e ndryshimit dhe e reformave.
“Vota e diasporës edhe në këto zgjedhje dëshmoi se mërgata mbetet një faktor vendimtar në politikën e Kosovës. Mbështetja e saj për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është thjesht rezultat i një fushate zgjedhore, por pasqyrim i një procesi më të gjatë politik, emocional dhe shoqëror që ka ndodhur ndër vite.
Diaspora shqiptare, edhe pse fizikisht larg atdheut, vazhdon ta mbajë Kosovën në zemër. Gjeneratat e para dhe të dyta të mërgatës kanë një lidhje të fortë emocionale me vendin, sepse e kanë përjetuar nga afër periudhën e okupimit, rezistencën, luftën dhe rrugën drejt pavarësisë. Ata e dinë çmimin e lirisë dhe kontributin që diaspora ka dhënë në momentet më të rëndësishme të historisë sonë.
Megjithatë, sot po përballemi me një realitet të ri. Gjenerata e tretë dhe e katërt e diasporës nuk e shohin Kosovën vetëm përmes emocioneve dhe kujtimeve të prindërve apo gjyshërve të tyre. Ata kërkojnë rezultate konkrete, zhvillim ekonomik, institucione funksionale, luftë kundër korrupsionit dhe perspektivë evropiane. Për ta, patriotizmi nuk matet vetëm me fjalë, por me arritje.
Kjo është një nga arsyet pse një pjesë e madhe e diasporës është identifikuar me diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje. LVV ka arritur të krijojë perceptimin se përfaqëson ndryshimin, luftën kundër korrupsionit dhe një qasje më të drejtë ndaj shtetit. Për shumë mërgimtarë, veçanërisht të rinj, ky mesazh ka qenë më bindës sesa ofertat e partive tradicionale”,
