Yuval Noah Harari : Inteligjenca Artificiale mund t’i japë fund historisë së dominuar nga njerëzit

Nga Yuval Noah Harari

Frika nga Inteligjenca Artificiale (AI) e ka përndjekur njerëzimin që nga fillimi i epokës së kompjuterit. Deri më tani, këto frikëra përqendroheshin tek robotët që përdornin mjete fizike për të vrarë, skllavëruar apo zëvendësuar njerëzit.

Por gjatë viteve të fundit janë shfaqur mjete të reja të AI, të cilat e kërcënojnë mbijetesën e qytetërimit njerëzor nga një drejtim i papritur. Inteligjenca Artificiale ka fituar disa aftësi të jashtëzakonshme për të manipuluar dhe gjeneruar gjuhën, qoftë me fjalë, tinguj apo imazhe. Në këtë mënyrë ajo e ka hakeruar sistemin operativ të qytetërimit tonë.

Gjuha është gjëja nga e cila përbëhet pothuajse e gjithë kultura njerëzore. Për shembull të drejtat e njeriut, nuk janë të regjistruara në ADN-në tonë. Përkundrazi, ato janë artefakte kulturore që ikemi krijuar duke treguar histori dhe duke shkruar ligje. Zotat nuk janë realitete fizike, por artefakte kulturore, të cilat i krijuam duke shpikur mite dhe duke shkruar shkrime të shenjta.

TS Poll - Loading poll ...

Edhe paraja është një artefakt kulturor. Kartëmonedhat janë thjesht copa letre shumëngjyrëshe,dhe aktualisht më shumë se 90 për qind e parave nuk janë as kartëmonedha fizike, por vetëm informacione dixhitale që mbahen në kompjuterë. Ajo që i jep vlerë parasë janë narrativat na tregojnë bankierët, ministrat e financave dhe gurutë e kriptomonedhave.

Sam Bankman-Fried, Elizabeth Holmes dhe Bernie Madoff, nuk ishin shumë aftë në krijimin e vlerave reale, por ata ishin që të gjithë tregimtarë jashtëzakonisht të aftë. Po çfarë do të ndodhësapo një inteligjencë jo-njerëzore të bëhet më e mirë sesa njeriu mesatar në rrëfimin e historive, kompozimin e melodive, vizatimin e imazheve dhe shkrimin e ligjeve dhe shkrimeve të shenjta?

Kur njerëzit mendojnë për Chat gpt dhe mjete të tjera të reja të AI, tërhiqen shpesh nga shembujt se si fëmijët e moshës shkollore do e përdorin atë për të shkruar esetë e tyre. Atëherë çfarë do të ndodhë me sistemin shkollor kur fëmijët ta bëjnë këtë gjë? Por kjo lloj pyetje shmang vëmendjen nga panorama më e madhe.

Ndaj unë them t’i harroni esetë e shkollës. Dhe në vend të tyre mendoni për garën e ardhshme presidenciale amerikane në vitin 2024, dhe përpiquni të imagjinoni ndikimin e mjeteve të Inteligjencës Artificiale që mund të prodhojnë në masë përmbajtje politike, lajme të rreme dhe shkrime për kulte të reja.

Vitet e fundit, kulti QAnon është bashkuar rreth mesazheve anonime në internet, të njohura si q drops. Ndjekësit i mblodhën, i vlerësuan dhe i interpretuan ato si të ishin tekste të shenjta. Ndërsa me sa dimë të gjitha pikat e mëparshme të QAnon u përpiluan nga njerëzit, dhe robotëtvetëm sa ndihmuan në shpërndarjen e tyre, në të ardhmen mund të shohim kultet e para në histori, tekstet e “shenjta” të të cilave janë shkruar nga një inteligjencë jo njerëzore.

Përgjatë historisë, njerëzimi ka pretenduar një burim jo-njerëzor për librat e tij të shenjtë. Së shpejti kjo gjë mund të bëhet realitet. Në një nivel disi më prozaik, ne mund ta gjejmë së shpejti veten duke zhvilluar diskutime të gjata në internet rreth abortit, ndryshimit të klimës ose pushtimit rus të Ukrainës, me entitete që ne mendojmë se janë njerëz, por që në fakt janëInteligjencë Artificiale.

Dhe kur të ndodhë kjo është krejtësisht e kotë që të shpenzojmë kohë në përpjekje për të ndryshuar opinionet e shpallura nga një robot i AI, ndërsa ky i fundit mund t’i përpunojëmesazhet e saj aq saktë, sa të ketë një shans të mirë për të ndikuar mbi ne. Madje nëpërmjet zotërimit të gjuhës, mund të krijojë marrëdhënie intime me njerëzit, dhe të përdorë fuqinë e intimitetit për të ndryshuar opinionet dhe botëkuptimet tona.

Edhe pse nuk ka asnjë tregues që AI ka ndonjë ndërgjegje apo një ndjenjë të vetën, për të nxitur një intimitet të rremë me njerëzit, mjafton nëse kjo teknologji mund ti bëjë këta të fundit të ndihen të lidhur emocionalisht me të. Në qershorin e vitit 2022, Blake Lemoine, një inxhinier i Google, pretendoi publikisht se chatboti i Ai, La Mda, në të cilin po punonte, ishte bërë i ndjeshëm.

Ky pretendimi i diskutueshëm i kushtoi vendin e punës. Gjëja më interesante në këtë episod nuk ishte pretendimi i zoti Lemoine, që ndoshta ishte i rremë. Përkundrazi, ishte gatishmëria e tij për të rrezikuar punën e tij fitimprurëse për hir të një chatboti të Inteligjencës Artificiale. Nëse ai mund të ndikojë tek njerëzit të rrezikojnë për të vendin e tyre të punës, çfarë tjetër mund ti shtyjë që të bëjnë?

Në një betejë politike për mendjet dhe zemrat, intimiteti është arma më efikase, dhe ai sapo ka fituar aftësinë për të prodhuar në masë marrëdhënie intime me miliona njerëz. Të gjithë e dimë se gjatë dekadës së fundit, mediat sociale janë bërë një fushëbetejë për kontrollin e vëmendjes njerëzore.

Dhe me gjeneratën e re të AI, fronti i betejës po kalon nga vëmendja tek intimiteti. Çfarë do të ndodhë me shoqërinë dhe psikologjinë njerëzore teksa ajo përballet me AI në një betejë kundër falsifikimit të marrëdhënieve intime, të cilat më pas mund të përdoren për të na bindur të votojmë për politikanë të veçantë apo të blejmë produkte të veçanta?

Edhe pa krijuar një “intimitet të rremë”, mjetet e reja të AI do të kishin një ndikim të jashtëzakonshëm tek opinionet dhe botëkuptimet tona. Njerëzit mund të përdorin një këshilltar AI si një Orakull. Nuk është çudi që kompania Google është e tmerruar nga ky skenar.

E pse mund të kërkoj në këtë motor kërkimi, kur mund të pyes Orakullin? Po ashtu të frikësuara janë edhe industritë e lajmeve dhe reklamave. Pse duhet të lexoj një gazetë, kur mund ti kërkoj Orakullit të më tregojë lajmet më të fundit? Dhe cili është qëllimi i reklamave, kur më mjafton ti kërkoj Orakullit të më thotë se çfarë duhet të blej?

Por as këta skenarë nuk e rrokin realisht panoramën kryesore. Ajo për të cilën po flas, është fundipotencial i historisë njerëzore. Jo fundi i historisë, vetëm fundi i pjesës së saj të dominuar nga njerëzit. Sepse historia është ndërveprimi ndërmjet biologjisë dhe kulturës; midis nevojave dhe dëshirave tona biologjike për gjëra të tilla si ushqimi dhe seksi, dhe krijimeve tona kulturore si fetë dhe ligjet.

Historia është procesi përmes të cilit ligjet dhe fetë i japin formë ushqimit dhe seksit. Çfarë do të ndodhë me rrjedhën e historisë, kur Inteligjenca Artificiale të marrë nën kontroll kulturën dhe të fillojë të prodhojë histori, melodi, ligje dhe fe? Mjetet e mëparshme si shtypshkronja dhe radio ndihmuan në përhapjen e ideve kulturore të njerëzve, por ato nuk krijuan asnjëherë ide të reja kulturore.

AI është thelbësisht i ndryshëm. Pasi mund të krijojë ide krejtësisht të reja dhe një  kulturë krejtësisht të re. Në fillim, do të imitojë ndoshta prototipet njerëzore me të cilat është trajnuar në fillimet e veta. Por me çdo vit që kalon, kultura e gjeneruar nga AI do të shkojë me guxim deri atje ku nuk ka shkuar më parë asnjë njeri.

Për mijëra vite qeniet njerëzore kanë jetuar brenda ëndrrave të njerëzve të tjerë. Në dekadat e ardhshme, ne mund ta gjejmë veten duke jetuar brenda ëndrrave të një inteligjence aliene.

Sigurisht, fuqia e re e Inteligjencës Artificiale mund të përdoret edhe për qëllime të mira. Por unë nuk do të ndalem tek ato, sepse për këtë flasin njerëzit që e zhvillojnë dhe reklamojnë këtëteknologji. Detyra e historianëve dhe filozofëve si unë është të vënë në dukje rreziqet.

Ne jemi ende në kohë për të vendosur disa rregulla në këtë fushë, por duhet të veprojmë shpejt. Hapi i parë vendimtar është të kërkohen kontrolle rigoroze të sigurisë, përpara se mjetet e fuqishme të AIpërfshihen në domenin publik. Ashtu si një kompani farmaceutike që nuk mund të nxjerrë në treg barna të reja, përpara se t’i testojë efektet e tyre anësore afatshkurtra dhe afatgjata, edhe kompanitë e teknologjisë nuk duhet të futin në përdorin asnjë mjet të ri përpara se të vërtetohet se ai është plotësisht i sigurt.

E kundërta do të krijonte një kaos social, nga i cili do të përfitonin autokratët dhe do të shkatërrohej demokracia. Demokracia është një në thelb dialogu me njëri-tjetrin, dhe ai bazohet tek gjuha. Ndaj kur AI hekeron gjuhën, mund të shkatërrojë aftësinë tonë për të pasur biseda kuptimplota, duke e shkatërruar kësisoj edhe demokracinë.

Shënim: Yuval Noah Harari është historian, filozof dhe autor i librave bestseller “Sapiens” dhe “Homo Deus”. Ai është pedagog në departamentin e historisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. / “The Economist” – Bota.al


Related Articles

Back to top button