ShowBizzz

Zana Shuteriqi, profesoresha e jurisë skanon Festivalin e RTSH

Nga FRANÇESKA KORDALLI

Festivali i 62-të i RTSH u përcoll me debate dhe polemika. Nisur nga akuzat për paracaktim të fituesit, shtrirë në akuzat konkrete për anëtarët e jurisë dhe procesin e përzgjedhjes së këngëve fituese, debatet e publikut për spikerimin, skenografinë dhe realizimin e festivalit, deri te zhurmat e paraqitjes në Eurosong, ky event shpërtheu si bombë mediatike. Deri tani, personazhet kryesorë nuk reaguan. Ata thjeshtë dëgjuan. Profesoresha e muzikës, Zana Shuteriqi, është e para që thyen “akullin” dhe hap një dritare për analizën dhe vlerësimin e festivalit. Duke qenë pjesë e jurisë, ajo ndan mendimin e saj dhe i jep fund dilemave rreth paracaktimit të fituesve.

Zana Shuteriqi, me një përvojë të pasur dhe një rol të vazhdueshëm në festivale, shpreh mendimin në lidhje me zhvillimin e procesit në vite. Nuk është mësuar të bëhet pjesë e “zhurmës” mediatike, por vendosi të shprehet hapur për këtë festival. Duke iu referuar kritikave për nivelin e teksteve të këngëve në disa raste, ajo ka treguar se si ka vlerësuar këtë proces gjatë kohës kur ishte në juri. Profesore Shuteriqi tregon për Newsbomb.al se çfarë do të donte të ndryshonte në këtë event dhe sjell një analizë të thelluar të aspekteve të ndryshme të festivalit, duke dhënë qëndrimin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente. Ky është një hap i rëndësishëm në transparencën e proceseve dhe vlerësimeve, duke sjellë një kontribut të vlefshëm për diskutimet në opinion dhe ndikimin në ndryshimet që mund të sjellë në të ardhmen e festivalit të RTSH.

Festivali i Këngës në RTSH qëllon të jetë më i lakuar edhe se vetë “Sanremo”, por ajo çka për të cilën bëhet zhurma, ndryshon. I mbuluar si përherë me një ‘tis’ mjegulle akuzash dhe hipotezash, të cilat kanë shkuar deri në thirrje të hapura për mospjesëmarrje pasi fituesi ishte “PARAZGJEDHUR”, akuza për favorizime të njëanshme për këngëtarët apo dhe kompozitorët, edhe FEST’62, qëlloi mjaft polemik dhe konfliktual. Shqiptari ka një shprehje që “çudia më e madhe 3 dit zgjat” , mirëpo ky tre-ditësh po përsëritet vit pas viti pas përfundimit dhe përzgjedhjes së fituesit, të atij të kurorëzuar nga juria dhe të atij ku sovrani është publiku, ai që e çon fituesin drejt “Eurovision”.

Që pas mundësisë së dhënë Shqipërisë për pjesëmarrje në Eurovision Song Contest, Festivali i Këngës në RTSH, sipas kritikëve të mëdhenj ka humbur karakterin dhe qëllimin e krijimit të tij: Prezantimin e muzikës së re e teksteve të plotësuara. Ky festival i cili në qelizë është kaq i rëndësishëm dhe potent, sa vjen e më tepër po karakterizohet si një platformë jo serioze e hapur dhe pa garë, thënë ndryshe si një “biznes”, personal dhe privat ku nuk fiton merita, por burokracia.

Të njëjtat akuza janë përsëritur sërish këtë vit. Kjo frazë është bërë “replay” në televizionet shqiptare, në reagimet e kritikëve dhe ka dalë edhe nga goja e të gjithë atyre që pa çka s’e nuk marrin vesh nga muzika, hedhin një fjalë me shumë.

FEST’62, LARGIMET, ZHURMA, KRITIKAT DHE AKUZAT

Le të kthehemi në muajin nëntor të vitit që lamë pas. Teksa shumë pak na ndante nga katër netët magjike të Festivalit të Këngës në RTSH, i cili do të kulmonte mbrëmjen e 22 dhjetorit me një super spektakël, tre këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare vendosën që të tërhiqen në mënyrë të befasishme nga gara. Emra këta, jo pak të njohur për publikun vendas, por dhe atë ndërkombëtar. Për ta saktësuar, Kejsi Tola, e cila në 2009 përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision, Samanta Karavella, zëri brilant i së cilës i kishte munguar skenës së Festivalit prej vitesh dhe në fund, Sardi Strugaj, një vokal potent, një djalë i cili me plot gojë mund ta themi që ka lindur për skenën. Tërheqja e tyre nga gara u përhap me shpejtësi në media. Pa folur të zotët e punës, u tha se tre artistët hoqën dorë për shkak të pazareve dhe padrejtësive brenda produksionit të Festivalit. Epo ku ka zë s’është pa gjë! Ishte vetë Sardi ai i cili pasi tha se largimi i tij ishte për “arsye personale”, zbuloi dhe arsyen e vërtetë se pse hoqi dorë nga ky Festival.

Gjatë provave ditore në “Dancing With the Stars”, emision ku ishte pjesë asaj kohe, tregoi se u largua nga kjo garë për vetë faktin se Festivali i Këngës ka rënë në një nivel shumë të ulët dhe jo profesional. “Unë emrin e Anxhelës e kam ditur që në maj. Emrin e Ronelës e dija nga qershori që e ka fituar Ronela. Nuk e besoja, por kur dalin. Vjet Albina ka qenë e paparashikueshme. Askush nuk e ka pritur, ka qenë një festival më ndryshe. Sivjet flitet që e ka fituar Elsa, mund të jetë ndonjë surprizë, por nuk është kjo arsyeja që kam ikur. Është muhabet shumë i ulët. Kjo më erdhi keq, që festivali ka rënë në nivel kaq të ulët.

M’u duk shumë joprofesional, nuk e meriton festivali që të ketë një nivel të tillë. M’u duk niveli i festivalit shumë i rëndë. I festivalit jo i artistëve”, tha më herët Sardi. Ndërsa, këngëtarja tjetër, Samanta Karavella u largua sepse nuk i kishin lejuar performancën, që siç u shpreh ajo duke qenë se kënga ishte ritmike do të krijonte atmosferë në Pallatin e Kongreseve. “Kënga fillonte me ‘eagle’ (shqiponjë), edhe do krijonte atmosferë të paparë në Pallatin e Kongreseve. Mua më ka mbetur shumë peng. E vërteta është që nuk m’u lejua performanca, dhe unë nuk mund ta këndoja atë këngë ritmike pa performancë. Këto ishin kriteret e festivalit këtë vit. Nuk iu lejua askujt”, tha Samanta. Ndërkohë, arsyeja se pse Kejsi u tërhoq vijon të jetë enigmë……..

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetenëntë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Janar dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

 

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo


NewsBomb