Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Godvi, Bulqizë, ku fillimisht u raportua se shtetasi Urim Fiku, 53vjeç, kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër.
Arrestohen bashkëshortja Sadete Fiku dhe djali i tij Gazmir Fiku, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.
Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve:
* S. F., 57 vjeçe;
* G. F., 33 vjeç;
të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
