Në dokumentin e dërguar nga Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku për kërkesën e divorcit, është bërë e ditur se martesa e tyre ka qenë në krizë për dy vite dhe që çifti ka rreth një vit që nuk jetojnë më bashkë.
Ata e kanë ndërtuar marrëdhënien e tyre mbi bazat e dashurisë dhe respektit, por kohët e fundit kanë përjetuar keqkuptime të vazhdueshme që nuk kanë mundur të zgjidhen, pavarësisht përpjekjeve nga të dy palët.
Në dokument përmendet se martesa ka mbetur vetëm formale dhe nuk funksionon më. Për këtë arsye, paditësja, Xhensila, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për zgjidhjen e martesës dhe rregullimin e pasojave që mund të dalin nga divorci.
Sipas shkresës, martesa e tyre është celebruar në qershor të vitit 2018, por keqkuptimet e vazhdueshme mes tyre gjatë dy viteve të fundit kanë çuar në këtë vendim të rëndë.
SHKRESA E PLOTË:
“Paditësja Xhensila Kallaku dhe i padituri Besart Kallaku, kanë lidhur martesë ndërmjet tyre, të cilën e kanë celebruar në datë 13.06.2018, siç vërtetohet edhe nga certifikata e martesës e lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile 381, Njësia Administrative nr. 9. Palët ndërgjyqëse janë njohur me dashuri. Paditësja dhe i padituri janë njohur në një moshë shumë të re. Ata kanë ndërtuar marrëdhënien e tyre mbi baza të dashurisë dhe respektit reciprok. Palët ndërgjyqëse kanë filluar të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin në vitin 2011, në banesën e prindërve të të paditurit.
Më datë 1 (një) Shtator të viti 2017 palët kanë realizuar martesën faktike. Pas celebrimit të dasmës së tyre, palët kanë filluar bashkëjetesën.
Marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira dhe harmonike. Në dy vitet e fundit, marrëdhëniet në çift janë acaruar, shkak kanë qenë keqkuptimet e vazhdueshme, të cilat edhe pse me përkushtim nga të dyja palët, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhje përfundimtare.
Çifti ka rreth një vit që nuk jetojnë më bashkë. Në kushtet që martesa ka mbetur formale nuk funksionon më, dhe ka humbur kuptimin e saj për të cilin është lidhur, paditësja i drejtohet Gjykatës me padi për zgjidhjen e kësaj martese dhe rregullimin e pasojave që vijnë prej saj”, thuhet në dokument.
lokimagazine