Lajme

Zbulohen shifrat/ Kryebashkiakja e Durrësit e bëri rrogën e saj 2.9 milionë lekë, shoferët dhe sanitarët asnjë rritje

Vendimi i Bashkisë së Durrësit, i miratuar nga Këshilli Bashkiak, një javë më parë, për të rritur pagat e Kryetares dhe administratës është shoqëruar me polemika dhe pakënaqësi.

Ndërsa kryetarja dhe kabineti i saj do të përfitojnë rritje të ndjeshme pagash, krahasuar me punonjësit e nivelit bazë, këshilltarët e opozitës braktisën mbledhjen, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të papërshtatshëm, veçanërisht kur në port qëndron anija me mbetje toksike.

“Dritan Burgija, kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë, kur thotë se nuk është kundër rritjes se pagave por duhet një shpërndarje me e drejtë”.

Me këtë vendim Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, rriti pagën e saj me 56,7 %, duke e çuar atë nga 1 milion e 850 mijë lekë në 2 milion e 900 mijë lekë të vjetra në muaj.

Rritje me 40,6 % u bë edhe për tre zv.kryetarët e saj, Renis Mullaj, Elio Jani dhe Gentian Kallmi, të cilët që nga data 1 shtator, sipas vendimit, do të paguhen 2 milion e 250 mijë lekë të vjetra, nga 1 milion e 600 mijë lekë që merrnin më parë. 55,6 % është rritur paga për sekretarin e përgjithshëm të bashkisë.

Në përqindje të njëjtë me pagën e kryetares së bashkisë, është rritur edhe pagesa mujore për këshilltarët bashkiakë, nga 185 mijë lekë të vjetra në 290 mijë lekë.

Për drejtorët e drejtorive, rritja është në masën 55 %. Rritjen më të madhe e ka përfituar drejtuesja e kabinetit me 86,7 %, si dhe këshilltari i kryetares së bashkisë dhe zëdhënësi i institucionit me 90.8 % rritje, duke u ngritur në nivelin e drejtorit të drejtorisë. Rritjet në nivelet e tjera variojnë, por jo në të njëjtin nivel. Për specialistët në aparatin e bashkisë, rritja është 14.3%.

Ndërkaq, për strukturat në varësi të bashkisë që kanë funksione ligjzbatuese dhe shërbimesh rritja për inspektorë dhe specialistë është më e ulët.

Për kryeinspektorin e Mbrojtjes së Territorit paga rritet me 49,4 %, ndërsa për vartësit e tij vetëm 7 %, ose 50 mijë lekë më shumë se deri tani. Diferenca më të vogla ka dhe në sektorë të tjerë si Tregu Agro-Bujqësor dhe Qendra Ekonomike e Arsimit, ndërsa për specialistët e sektorit mbështetës të stacionit zjarrfikës nuk do të ketë rritje page.

Po ashtu, kritike është rritja e pagave mujore për magazinierë, shoferë, roje, pastrues dhe punonjës të tjerë administrativë, paga e të cilëve varionte nga 400 mijë-470 mijë lekë të vjetra në muaj dhe tani unifikohet në 470 mijë për të gjithë.

Rritja e pagave në nivele të ndryshme të administratës bashkiake në Durrës, ka thelluar kontrastin mes të zgjedhurve, funksionarëve të lartë dhe punonjësve të shërbimeve bazë, duke nxitur debat mbi përparësitë e vendimmarrjes, veçanërisht në kohë krizash si ajo e mbetjeve toksike në port, ndërsa këshilltarët e opozitës nuk kanë pritshmëri nga institucioni i prefektit të qarkut.