
Ish-shefi i kuzhinës së Pallatit Mbretëror, Darren McGrady, i cili shërbeu për Princeshën Diana nga viti 1993 deri në vdekjen e saj në 1997, ka ndarë së fundmi një nga sekretet më të shijshme të jetës së saj të përditshme: mëngjesin e saj të preferuar.
Në një video të publikuar në kanalin e tij në YouTube, McGrady zbulon se Diana ishte adhuruese e një recete të veçantë me tërshërë, shumë përpara se ajo të bëhej trend në rrjetet sociale.
“Ajo e provoi këtë recetë gjatë një vizite në një klinikë shëndetësore në Zvicër”, tha McGrady, duke sqaruar se bëhej fjalë për musli bircher, një përzierje zvicerane që përgatitet që një natë më parë.
Diana më tha: ‘Darren, e dua këtë për mëngjes çdo ditë!’– dhe kështu ndodhi.
Ndryshe nga mënyra klasike e përgatitjes ku tërshëra lihet gjatë natës në qumësht ose çaj bimor, Diana preferonte versionin e saj me lëng portokalli.
Në mëngjes, receta pasurohej me kos të kulluar, pak mjaltë, lëng limoni, dhe fruta të freskëta.
Për kombinimin ideal, Princesha zgjidhte mollë Honeycrisp të grira, arra dhe boronica për një mëngjes të lehtë, por të ushqyeshëm dhe të pasur me fibra.
McGrady rrëfen se aq shumë e pëlqente këtë recetë, sa shpesh e përgatiste në sasi të dyfishtë, për të shijuar edhe vetë një porcion.
Musli bircher, sot një trend global, ishte pjesë e rutinës së përditshme të princeshës shumë vite përpara se të bëhej pjesë e dietave moderne, duke dëshmuar edhe një herë se Diana ishte një hap përpara kohës së saj, jo vetëm në stil dhe qëndrim, por edhe në zgjedhjet ushqimore.