Lajme

Zbulohet motivi që shtyu Naim Murselin të organizonte vrasjen e gruas

Sipas mediave kosovare, motivi që e ka shtyrë Naim Murselin të skenonte vrasjen e bashkëshortes së tij ka qenë një sigurim jete, që e ndjera kishte paguajtur në Suedi.

Kompania në fjalë, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë eurove.

Edhe pse kjo hipotëzë ende nuk është konfirmuar, në pranga deri më tani kanë rënë tre persona.

Kujtojmë që Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.

Dje, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbardhur ngjarjen, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit. Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutori.

Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.

Edhe vetë bashkëshorti i viktimës, ka pranuar në Policinë e Kosovës se ka porositur vrasjen e gruas.

Dyshime për rastin u ngritën menjëherë pas dëshmisë që kanë dhënë familjarët e viktimës dhe vetë Naim Murseli, në media dhe para hetuesve. Ai ndodhej në makinë bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët, por çuditërisht grabitësit e armatosur u përleshën vetëm me gruan dhe jo me kryefamiljarin.