Lajme

Zbulohet roli që kishte djali i Erzen Breçanit në trafikun e kokainës

Detaje të reja janë zbardhur nga përgjimet që kanë nxjerrë “zbuluar” grupin e strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas dosjes së SPAK mësohet se pritësi i lëndës narkotike, financuesi dhe personi përgjegjës për nxjerrjen e sasisë nga Porti ishte Ismail Zeneli. Ndërsa, Artan Sulejmani bashkëpunëtor i Ismail Zenelit, bashkëposedues i 20kg kokainë.

Ndërsa djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani dhe Besmir Murati ishin financues si dhe përfitues nga aktiviteti i paligjshëm. Këta persona nuk kanë bashkëpunuar rastësisht, por nderveprojnë në të paktën dy raste me njëri tjetrin për kryerjen e veprave penale.

Në kuadër të aksionit të SPAK në pranga ranë 6 shtetas, ndërsa në kërkim janë 5 të tjerë. Janë arrestuar ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, djali i tij Eralbi Breçani,  Besmir Mustati, Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti (alias Gërmizi) dhe Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Përgjimet në aplikacionin SKY ECC nxorrën zbuluar grupin e strukturuar kriminal, i cili akuzohet për: “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Erzen Breçani, ish-drejtor i Policisë së Tiranës dhe Dedan Gjoni, shef i Krimeve në Komisariatin nr.6 janë arrestuar dje pranë stadiumit “Air Albania” në prag të ndeshjes së fundit të kombëtares kundër Ishujve Faroe, shkruan newsbomb.al.

Breçani dhe Gjoni kanë qenë pranë stadiumit kombëtar duke pritur të shkonin për të parë ndeshjen, mirëpo biletat u mbetën në dorë.

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës gjatë kohës së qeverisë Berisha dhe shefi i Krimeve në Komisariatin Nr.6 akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se janë pjesë e një grupi kriminal që merreshin më vrasje, të zbuluar nga bisedat në aplikacionin sekret “SKY”.

Ndërkohë, ditën e nesërme 23 nëntor, do të merret në pyetje ish-drejtori i Policisë Erzen Breçani. Së bashku me Breçanin do merret në pyetje dhe shefi i krimeve, Dedan Gjoni dhe oficerja e kufirit, Jonida Babameto.