Lajme

Zbulohet skema e servisit në Tiranë: Shiste makinat që klientët kishin paguar për riparim

Arrestohet pronari i një servisi në Astir, dyshohet se mashtroi disa klientë dhe tentoi t’u shiste automjetet

Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, pasi dyshohet se ka mashtruar disa klientë që i kishin lënë makinat për riparim.

Operacioni i koduar “Skema” u finalizua nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pas kallëzimeve të disa qytetarëve. Sipas tyre, automjetet nuk ishin riparuar, edhe pse pagesat ishin kryer.

Në pranga u vu M. H., 37 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”. Deri tani, policia ka dokumentuar gjashtë raste, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të dëmtuar.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, në disa raste, 37-vjeçari dyshohet se ka tentuar të shesë automjetet që klientët i kishin lënë në servis për riparim.

Gjatë operacionit u sekuestruan pesë automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Të Ngjashme