ShowBizzz

Zërat e Perëndive. Orakujt e botës së lashtë

Orakujt ishin disa nga njerëzit më të rëndësishëm të botës së lashtë. Këta burra dhe gra jepnin këshillat për të gjitha çështjet e rëndësishme, sidomos për martesën, luftën dhe biznesin. Orakujt mund të ishin si burrat ashtu edhe gratë. Ja cilit ishin më të famshmit.

Orakulli i Dodonës

Orakulli i Dodonës në Janinë, besohet nga shumë studiues të jetë më i vjetri në Greqinë e Lashtë, dhe ka jetuar në vitin 2000 Para Erës Sonë. Edhe pse grekët e lashtë besonin se orakujt flisnin me zërin e Perëndive, është e paqartë se për cilin Zot,Titanin apo Qenien flisnin.

Disa nga të dhënat më të hershme, lënë të kuptohet për një lidhje me Gaian, hyjninë e Tokës dhe nënën e Titanëve. Orakulli i Dodonës ka qenë gjithashtu i lidhur me Rean, gruan e Kronosit dhe nënën e Zeusit, duke sugjeruar një lloj vazhdimësie familjare.

Ajo që e ndërlikon situatën është lidhja e dukshme midis Orakullit të Dodonës dhe Titaneshës Dione, e cila në një version të miteve shpesh konfliktuale greke, është nëna e Afërditës sipas Homerit. Në fund të fundit, nuk ka mbijetuar një informacion i mjaftueshëm që të dimë më shumë rreth Orakullit të Dodonës

Gjithsesi ajo mbeti një figurë jashtëzakonisht e rëndësishme. Thuhet se Odiseu këshillohej rregullisht me të, ndërsa në shekullin III-të, Mbreti Pirro i Epirit do të ndërtonte një kompleks masiv në tempullin e Diones, Zeusit dhe Herkulit, duke e nderuar më tej orakullin.

Orakulli i Delfit

Shumica e interpretimeve pajtohen se ai fliste me zërin e Apollonit, por sërish ka një lidhje me Gaian. Sipas legjendës, Zeusi lëshoi shqiponjat nga lindja dhe perëndimi dhe atje ku u takuan do të ishte “marina e botës” (omfalos në greqisht).

Ky vend ishte Delfi, dhe në disa mite, Apolloni uzurpon autoritetin e Gaias, duke vrarë një piton të madh që ruante vendin. Duket se ekziston një lidhje midis këtij akti dhe titullit zyrtar të orakullit “Pythia”, me disa studiues që sugjerojnë se rrjedh nga fjala greke ‘pytho’ (të kalbet) por etimologjia mbetet ende e paqartë.

Ai tempull ka ekzistuar që nga viti 1400 Para Erës Sonë,derisa perandori bizantin Teodosi e  nxori jashtë ligjit të gjithë adhurimin pagan në fund të viteve 400 Pas Krishtit. I vendosur mbi mal, Parnasusi, tempulli i Apollonit që ekziston ende sot,daton që nga shekulli IV Para Krishtit dhe ndodhet në krye të asaj që njihej si Rruga e Shenjtë, të cilën e përshkonin pelegrinët.

Duket se Pitia ka qenë gjithmonë një grua (shumë gra në periudhat e mëvonshme), gjithmonë një delfiane vendase, dhe duhej të kishte një natyrë stoike dhe të matur. Pelegrinët do të bënin një sakrificë para se të shkonin që ta takonin atë në një nga 9 muajt e vitit që ajo bënte profeci.

Ajo do të ulej në majën e një trekëmbëshi, duke parë mbi ujërat e burimit të shenjtë Kastilian, në të cilin mendohet se ajo vetë i nënshtrohej një rituali pastrimi shpirtëror. Gjatë profecive ajo binte shpesh në ekstaza, ndonjëherë të dhunshme.

Profecitë e saj do të ishin të paqarta dhe të hapura për interpretime, por qartësisht të dobishme, po të kihet parasysh fama e Orakullit të Delfit. Dihet shumë pak mbi atë që bëhet në tempull, pasi njohuritë kalonin nga një Pitia tek tjetra.

Mbishkrimet në tempull na japin ndoshta ndonjë ide:“Njih vetveten dhe asgjë më tepër!”. Interesant është fakti që fuqitë e saj mund të kenë pasur një origjinë më të natyrshme. Sipas Plutarkut, i cili ishte vetë një prift i Apollonit, por edhe historian dhe filozof, Pitia niste të kishte vizione nga gazrat me erë të ëmbël dhe që dilnin nga të çarat e tokës.

Ky pretendim cilësohej kryesisht si një mit, derisa një ekip studiuesish gjeti etilen në muret e tempullit dhe në ujërat e burimit Kastilian. Ky gaz dihet se shkakton halucinacione dhe njëkohësisht një ndjenjë euforie. Kjo nuk është një teori e pranuar botërisht, pasi disa studiues propozojnë një përzierje të metanit dhe dioksidit të karbonit si më të mundshme.

Zërat e Perëndive

Në atë kohë ekzistonte në Epidauruse dhe faltorja e Asklepios, Zotit të Mjekësisë, të sëmurët do të flinin në këtë faltore, duke shpresuar të vizitoheshin nga vetë Zoti, pa kërkuar ndërmjetësues, dhe kësisoj të shëroheshin nga sëmundjet e tyre.

Po ashtu ishin edhe Nekromanteionët, ose orakujt enigmatikë të të vdekurve, që mund të kontaktonin me të vdekurit, të cilët jepnin këshilla dhe bisedonin në një farë mase me botën e përtejshme. Ajo që tregon e gjithë kjo, është fuqia që kishin këta individë.

Gjatë pushtimeve persiane të Kserksit, athinasit u konsultuan me dy prej orakujve të Delfit. Ata refuzuan thirrjet e tyre, të perceptuara si një dezertim.“Edhe pse gjithçka tjetër do të merret, Zeusi, ai që sheh gjithçka, do të garantojë që muri prej druri të mos shembet”. Orakulli mendohet të ketë thënë. “Muri prej druri” u ndërtua nga Themistokloi, dhe se flota e Athinës do të fitonte ditën kundër persëve në Salaminë. Ata jo vetëm që mund të vendosnin mbi fatin e qytet-shteteve, mbretërive dhe perandorive, por edhe mbi jetën personale të njerëzve, duke u siguruar këshillat hyjnore se me kë të martoheshin, kur të mbillnin të korrat dhe cilat mundësi biznesi të shfrytëzonin.

Nuk do të ishte e tepruar po të thuhet se gjatë Epokës së Artë Greke nga shekulli IV deri në shekullin VI, orakujt ishin individët më të plotfuqishëm, të dytët pas sunduesit më të madh dhe vetë Zotave, një dukuri e jashtëzakonshme, po të kesh parasysh se shumë prej tyre ishin gra në njëbotë tepër patriarkale të Greqisë Antike dhe më gjerë. / History of Yesterday – Bota.al