Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit pritet të jenë një moment vendimtar për skenën politike në Kosovë, pas krizës institucionale dhe tensioneve të vazhdueshme ndërmjet partive kryesore.
Në këtë garë elektorale, fokusi nuk është vetëm te rezultati i partive të mëdha si LVV, PDK dhe LDK, por edhe te mbijetesa politike e disa subjekteve më të vogla, si AAK dhe PSD, të cilat rrezikojnë të mos e kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.
E në lidhje me zhvillimet fundit politike dhe zgjedhjet e reja për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai fajësoi PDK dhe LDK për bllokadat, derisa i kritikoi për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Gani Qarri
“Duke qenë se dy partitë kryesore opozitare, është dëshmuar publikisht se kanë probleme të patejkalueshme brenda-përbrenda tyre dhe nuk po arrijnë ta gjejnë veten, për funksionim normal dhe angazhime të suksesshme në arenën politike vendore, ato si ilaç për shpëtimin e vetvetes nga shkapërderdhja dhe ndarja në disa fraksione, kanë gjetur shkaktimin e ngërçeve politike e bllokadave institucionale dhe çuarjen e vendit, nga zgjedhjet në zgjedhje, për t`ia zgjatur jetën vetvetes në kurriz të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme dhe dështimit të disahershëm për zgjedhjen e presidentit shkaku i mungesës së vullnetit dhe mosbashkëpunimit nga partitë opozitare, megjithëse kryeministri Kurti ofroi kandidatë partiak dhe alternativë e jo-partiak, ndërsa asnjëra nga partitë opozitare përveçse nuk ofruan kandidat, të gjitha u bën bashkë për të mos qëndruar as në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit, nuk ngeli mundësi tjetër përveçse, nën imponimin e opozitës Kosova sërish të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme, të tretat me radhë brenda vetëm një viti e gjysmë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Qarri paralajmëroi se zgjedhjet e 7 qershorit mund të mos ofrojnë zgjidhje për presidentin dhe vendi nuk meriton të shkojë në pafundësi në zgjedhje.
Sipas tij, një situatë e tillë e paraqet Kosovën si një si shtet të paqëndrueshëm politikisht e jo serioz edhe në sytë e ndërkombëtarëve.
“Zgjedhjet në fjalë, nuk është se vetëm do ‘ti kushtojnë Kosovës mbi 10 milionë euro, por ato vonojnë edhe reformat e nevojshme ligjore të kërkuara nga Bashkimi Evropian, rritin në vijimësi koston financiare për buxhetin e shtetit dhe përkeqësojnë jetën e qytetarëve, ndërsa ajo që vret edhe më tepër me këtë rast, është fakti se nëse partitë politike, serish nuk ndryshojnë qëndrimet dhe në vend të polarizimeve nuk ofrojnë kompromis e gatishmëri bashkëpunimi me fituesin e zgjedhjeve, as votimet e 7 qershorit nuk garantojnë zgjidhjen e problemit dhe rivendosjen e stabilitetin aq të nevojshëm politik dhe institucional në vend.
Kjo gjendje e mundimshme dhe aspak e këndshme e shfaq Kosovën si shtet të paqëndrueshëm politikisht e jo serioz edhe në sytë e të huajve, si dhe vend të padenjë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe arritjen e marrëveshjeve bilaterale me shtetet vendimmarrëse për anëtarësim në KiE, NATO, e organizata tjera të rëndësishme botërore, pengon rrugëtimin e integrimit të Kosovës në BE dhe procesin e pranim-anëtarësimit të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB, që është edhe synimi parësor i vendit dhe popullit tonë”.
Më tej, analisti foli edhe për dëmet tjera që shkaktojnë bllokadat dhe proceset e vazhdueshme zgjedhore.
Ai tha se, duke parë atë se çka po ofron fushata, fatkeqësisht partitë politike nuk po tregojnë se pas këtyre zgjedhjeve do të vendosin bashkëpunimin e nevojshëm.
“Këto nuk janë vetëm humbje të përkohshme as dëmet e vetme, por përveç kostove të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit, mungesa e Kuvendit funksional dhe qeverisë legjitime me mandat të plotë, ka bllokuar miratimin e ligjeve të reja dhe gjithë procesin legjislativ, si dhe ka pamundësuar jetësimin e reformave që do tu sillnin përfitime qytetarëve, bllokadë e cila po shkakton probleme të mëdha edhe në planin ndërkombëtar duke filluar nga vonesa e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës e deri te pamundësia e përmbushjes me kohë, të obligimeve të parapara për Kosovën nga BE, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, me ç `rast Kosova mundë të humb dhjetëra milion euro, të ndara nga BE për vendin tonë.
Ajo që, për fat të keq, bie në sy edhe kësaj radhe, është fakti se as në këtë fushatë, nuk kemi qoftë edhe një zotim të vetëm apo garanci dhe mesazh pozitiv nga cilado partitë politike, se zgjedhjet e reja do të vendosin bashkëpunimin e nevojshëm, apo të paktën, përafrimin minimal ndërmjet tyre, sjellin stabilitet politik, apo prodhojnë edhe funksionimin efikas të institucioneve të shtetit, të cilat janë të pazëvendësueshme për ecjen e vendit tonë përpara”, nënvizoi Qarri.
Përveç kësaj, analisti shtoi se, përveç aspekteve negative, këto zgjedhje mund të sjellin diçka të mirë, siç është rikonfigurimi i skenës politik, derisa paralajmëroi se AAK dhe PSD mund të mos e kalojnë pragun.
“Kështu që edhe në zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen me 7 qershor, vendi përveçse po shkon edhe në një palë votime me pasiguri të plotë, për tejkalimin e krizës aktuale politike dhe institucionale, që tash e gati një vit e gjysmë, është shndërruar në paranojë politike në Kosovë, mjerisht sërish ka indikacione, se edhe pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, mund të mos garantohet zgjidhja e problemit kyç dhe rikthimi i stabilitet e funksionimit normal të institucioneve jetike shtetërore në vendin tonë.
Vetëm duke qenë se në këtë pikë, është parashikuar mundësia që ndonjëra nga partitë minore si AAK të bie, përfundimisht nën pragun zgjedhor e PSD, të mos i afrohet këtij pragu, sikur krijohet një fije shprese se këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, të paktën një të mirë do ti sjellin vendit tonë dhe kësaj radhe do të ndryshojë konstalacioni aktual politik, gjë që do ta thjeshtësonte në masë të konsideruar edhe gjetjen e zgjidhjes së problemit, për të mos iu imponuar vendit, vazhdimi i riciklimit të zgjedhjeve të parakohëshme, qoftë edhe nga frika, se përsëritja e zgjedhjeve, mund ta deklasojë edhe ndonjë parti tjetër nga skena politike”.
Në fund, ai potencoi se, Kosova ka nevojë për ndryshim të skenës politike, në mënyrë që të rriten gjasat për bashkëpunime mes partive dhe tejkalimin e bllokadave.
“Ndryshimi i konstalacioneve politike në Kosovë, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, pikësëpari do ta kursente Kosovën edhe nga shkaktimi i plagëve të reja shoqërore dhe shpëtonte nga shndërrimi i saj në të sëmurën e Ballkanit Perëndimor, me të cilën nuk do të kishte askush dëshirë më të bënte, do ta relaksonte sado pak atmosferën e nderë politike, për tejkalimin e mospajtimeve dhe zbutjen e kundërshtimeve ndërpartiake, si dhe do t’i rriste gjasat për gjetjen e një zgjidhje kompromisi, për të mos e fut vendin sërish në bllokadë të re institucionale, e cila mund të kthehet në proces zingjiror dhe krizë sistematike të paqëndrueshmërisë politike në Kosovë, duke humbur tërësisht edhe atë grimë besueshmërie, nëse ka ngelur akoma sadopak, për vendin tonë, si shtet i brishtë, në raport me faktorët ndërkombëtarë, pa të cilët nuk mund të arrijmë askund dhe bashkëpunimin me të cilët e kemi obligim shtetëror dhe detyrim nacional”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
