Lajme

Zhvendoset në një hapësirë tjetër tabela me emrin e Zoran Gjingjiqit në Mitrovicë të Veriut

Tabela me emrin e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, e vendosur një ditë më parë pranë tabelës me emrin e heroit kombëtar Isa Boletini në Mitrovicën e Veriut, është larguar.

Lidhur me këtë zhvillim, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për KP se tabela me emrin e Zoran Gjingjiqit është zhvendosur në një shtyllë tjetër dhe nuk ndodhet më pranë asaj të Isa Boletinit.

Tabelat me emrat e Isa Boletinit dhe Zoran Gjingjiqit u vendosën të martën nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, për çka pati edhe kritika. Ishte ministrja në detyrë e këtij dikasteri, Fitore Pacolli e cila tha se emërtimet e rrugëve janë përzgjedhur në bashkëpunim me pushtetin e mëparshëm në Mitrovicën e Veriut.

Pas vendosjes së tabelave me emrat e rinj të rrugëve, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, doli në terren dhe i mbuloi ato me pëlhurë, duke pretenduar se procesi i emërtimit të rrugëve është i paligjshëm.

Një ditë më parë u raportua se në vendngjarje kishte dalë edhe Policia e Kosovës, e cila kishte larguar pëlhurën e vendosur mbi tabelat.

Më 25 gusht 2025, Kuvendi i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut kishte miratuar vendimin për riemërtimin e 87 rrugëve. Megjithatë, pas ndryshimeve politike në nivel lokal, më 30 janar të këtij viti ishte marrë vendimi për shfuqizimin e këtyre emërtimeve.

Vendosja e emrit të Zoran Gjingjiqit pranë atij të Isa Boletinit ka nxitur reagime edhe nga qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të cilët e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke deklaruar se “Isa Boletini dhe Zoran Gjingjiqi nuk mund të qëndrojnë në të njëjtin vend”.

Të Ngjashme