Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së, ku Avdullah Hoti ka propozuar Kujtim Shalën për kryetar të ardhshëm të partisë, ndërsa Hykmete Bajrami ka paralajmëruar kandidaturën e saj për drejtimin e LDK-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka kritikuar atë që e ka cilësuar si vendosje të ambicieve personale mbi interesin e shtetit.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie. Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së, për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Reagimi vjen në kohën kur brenda LDK-së janë shtuar përplasje që pas marrëveshjes me LVV-në për president, ku u propozua Bekim Sejdiu.
Hoti ka thënë se angazhimi i tij është që Kujtim Shala të zgjidhet kryetar i LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre.
Bajrami, ndërkaq, ka deklaruar se nëse nuk ka ndryshime pozitive dhe gara për drejtimin e partisë është e hapur dhe fer, ajo do të jetë njëra prej kandidateve për kryetare të LDK-së.
Abdixhiku ka rikujtuar edhe rolin historik që, sipas tij, LDK-ja ka pasur në politikën kosovare.
“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka shkruar ai.
Në fund, Abdixhiku ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve brenda partisë.
“Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
