Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Procesi i Berlinit ka rëndësi të veçantë për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Zulfaj i bëri këto deklarata në kuadër të Forumit të Shoqërisë Civile, i cili po mbahet për herë të parë në Kosovë në kuadër të Procesit të Berlinit, këtë vit nën moton “Prova, jo premtime”.
Ai mori pjesë në panelin “E ardhmja e Procesit të Berlinit dhe vendi i rajonit në Bashkimin Evropian”, ku diskutoi së bashku me kryenegociatorin e Malit të Zi, Predrag Zenović, Adnan Ćerimagić nga European Stability Initiative dhe profesor Gentian Elezi nga Kolegji i Evropës dhe Universiteti i Tiranës. Paneli u moderua nga Ilva Tare.
Në fjalën e tij, Zulfaj theksoi se Procesi i Berlinit ka luajtur rol të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në çështjet që lidhen me mobilitetin dhe konektivitetin.
“Procesi i Berlinit ka një rëndësi të veçantë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe në afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Kjo iniciativë i ka sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku dhe ka adresuar çështje të rëndësisë së veçantë, duke përfshirë mobilitetin dhe konektivitetin”, ka deklaruar Zulfaj.
Kryenegociatori kosovar ka përshëndetur gjithashtu avancimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit rajonal edhe pas anëtarësimit të tyre.
“E përshëndesim avancimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe pas anëtarësimit të të dyja vendeve, bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor. Vendet e rajonit mund të kenë ritme të ndryshme të avancimit drejt Bashkimit Evropian, por kjo nuk duhet të ndikojë në nevojën për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet tyre”, ka thënë ai.
Duke folur për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Zulfaj ka thënë se ky proces duhet të shihet si një mekanizëm që e përshpejton rrugën e rajonit drejt anëtarësimit të plotë.
“Integrimi gradual duhet të shërbejë si katalizator për ta çuar rajonin përpara dhe për ta afruar më shpejt me Bashkimin Evropian, e jo si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë. Qëllimi duhet të mbetet integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Zulfaj.
Në fund, ai ka theksuar nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së, me synim sigurimin e mbështetjes së nevojshme për avancimin e aplikimit të Kosovës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Duhet të vazhdojmë bashkëpunimin me shtetet anëtare për të siguruar unitetin e nevojshëm brenda Bashkimit Evropian për avancimin e aplikimit të Kosovës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky është një proces që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë”, ka përfunduar Zulfaj./teve1.info/
