Lajme

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave trajtoi 50 raste për një javë

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, në kuadër të sistemit prokurorial, ka trajtuar 50 raste të reja gjatë periudhës 19-26 qershor 2026, është bërë e ditur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e rasteve të trajtuara kanë të bëjnë me dhunën në familje. Nga gjithsej 50 rastet e reja, 46 janë raste të dhunës në familje, dy raste të sulmit seksual, një rast i vrasjes së rëndë në tentativë dhe një rast i shkeljes së detyrimeve familjare.

Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave kanë parashtruar pesë kërkesa për urdhër mbrojtjeje në gjykatë, 15 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente, një kërkesë për ndryshim të urdhrit mbrojtës, një kërkesë për tërheqje dhe dy kërkesa për ndërprerje të urdhrit mbrojtës.

Po ashtu, janë paraqitur dy kërkesa për kompensim dëmi, dy ankesa dhe gjashtë parashtresa të tjera.

Sipas njoftimit, gjatë javës janë mbajtur 57 seanca gjyqësore dhe 12 seanca në prokurori, ndërsa janë aprovuar 16 aktvendime, një aktvendim është refuzuar dhe një tjetër është nxjerrë për ndryshimin e urdhrit mbrojtës.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar katër aktgjykime dënuese dhe një aktgjykim lirues.

Ndërkohë, mbrojtësit e viktimave kanë realizuar edhe një përfaqësim të rastit në polici, një në strehimore, si dhe kanë bërë referimin e një rasti në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe një rasti në Qendrën për Punë Sociale.

Gjatë javës raportuese janë ofruar gjithsej 43 këshilla juridike për viktimat që kanë kërkuar mbështetje dhe asistencë ligjore.

Të Ngjashme