Lajme

ZYRTARE/ Ardi Veliu dha dorëheqjen, do t’i besohet një tjetër post

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu, paraqiti sot dorëheqjen nga detyra tek ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ministri Balla ka falenderuar Ardi Veliun për kontributin e dhënë në këtë institucion, duke sjellë në vëmendje dhe punën e bërë.

Ardi Veliu u emërua në krye të AMP-së në shtator të 2022, detyrë të cilën e mbajti deri ditën e sotme. Drejtimin e Agjencisë, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri do e mbaje Dritan Dorda, zv.drejtori i Përgjithshëm i AMP-së.

Ndërkohë, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme mësohet se Veliu në vijim do të mbajë një tjetër detyrë shtetërore, mirëpo deri më tani nuk dihet se në çfarë pozicioni do të emërohet.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nga 1 janar deri sot, ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm 207 raste për 295 subjekte, ndër ta 253 oficerë policie si dhe 42 shtetas.

Në këtë periudhë janë arrestuar 23 oficerë në flagrancë. Me masë sigurie janë 72 raste, ndër ta, 61 oficerë policie dhe 11 shtetas. Në masën “Arrest në burg” janë 24 raste, ndër ta, 18 oficerë policie dhe 6 qytetarë. Me masën “Arrest në shtëpi” janë 6 oficerë policie dhe 1 qytetar, me masën “Pezullim i ushtrimit të detyrës në shërbim publik” janë 34 oficerë policie.

Gjithashtu janë dhënë 24 masa disiplinore administrative, pas hetimeve disiplinore të AMP-së, ndër ta, 4 oficerë me masë disiplinore “Përjashtim nga policia”; 3 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për dy vjet; për 5 oficerë policie “Shtyrje e afatit të gradimit” për një vit, si dhe për 9 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për nëntë muaj.

AMP i ka dhënë rekomandim Agjencisë Kombëtare të Informacionit të Klasifikuar për heqjen e Certifikatës së Sigurisë për 19 subjekte.