Lajme

1 Maji, Haxhiu: Sot nderojmë ata që me mund e mbajnë familjen e Kosovën në këmbë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk mjafton të shohim vetëm vendin e punës, por “duhet ta shohim edhe shtëpinë”.

“Aty ku shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë dhe e mbyllin pasi të kenë fjetur të gjithë. Aty ku kujdesi për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për ushqimin, për rrobat, për rendin e familjes, vazhdon të merret si detyrë e natyrshme. Por nuk është e natyrshme. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe, mbi të gjitha, është punë që as paguhet e as njihet sa duhet”, ka thënë Haxhiu.

Ajo, tutje ka shtuar se në këtë 1 Maj, duhet ta shohim punën në tërësinë e saj dhe t’u japim vendin që u takon punëtoreve dhe punëtorëve të Kosovës.

“Atyre që dalin herët për ta fituar bukën me djersë, në kantier, në fabrikë, në arë, në zyrë, në dyqan, në rrugë a në mërgatë, por edhe atyre që e vazhdojnë punën brenda shtëpisë, shpesh pa pagë, pa orar dhe pa njohjen që meritojnë”, ka theksuar U.D. Presidentja.

Haxhiu ka thënë se sot nderohen punëtorët dhe punëtoret që, me mund, përgjegjësi e dinjitet, e mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë.

Të Ngjashme