Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka votuar në kuadër të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen sot, më 8 nëntor.
Përmes një postimi në Facebook, Sinani ka bërë të ditur se e ka përmbushur obligimin e saj qytetar, ndërsa ka shprehur urimin që procesi zgjedhor të zhvillohet dhe të përmbyllet në mënyrë të rregullt e demokratike.
Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në përcaktimin e së ardhmes së përbashkët.
Postim i plotë:
Sot, në këtë ditë të rëndësishme demokratike, e kreva obligimin tim qytetar duke votuar.
Uroj që procesi zgjedhor të përmbyllet në mënyrë të rregullt, demokratike dhe me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, sepse pjesëmarrja është mënyra më e drejtpërdrejtë për të shprehur vullnetin dhe për të ndikuar në të ardhmen tonë të përbashkët.
Le të jetë kjo ditë një dëshmi e kulturës sonë demokratike, e përgjegjësisë qytetare dhe e respektit për zgjedhjen e secilit.
Presheva është e të gjithë qytetarëve të saj!
