Lajme

147 raste me fruth në Kosovë, IKShPK: Më shumë se dyfishi i rasteve të konfirmuara gjatë 2025-ës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 24 gusht 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 147 raste me fruth.

Sipas IKShPK-së, ky numër është më shumë se dyfishi i rasteve të konfirmuara gjatë gjithë vitit 2025. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 10 raste të reja.

Numri më i lartë i rasteve është raportuar në Prishtinë, me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 dhe Ferizaj me 13 raste.

Raste janë regjistruar edhe në Obiliq (9), Lipjan (8), Kaçanik (7), Vushtrri dhe Shtime (nga 4), Skenderaj dhe Drenas (nga 3), si dhe në Gjilan, Gjakovë, Shtërpcë dhe Deçan (nga 2 raste).

Me nga një rast janë raportuar Graçanica, Mitrovica, Podujeva, Suhareka dhe Vitia.

Në tre javët e fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve kanë intensifikuar aktivitetet. Gjatë kësaj periudhe, me vaksinën MMR janë vaksinuar 504 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta për fruth, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.

Instituti ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të rregullt në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, kufizimin e përhapjes së tij në komunitet dhe mbrojtjen e shëndetit publik./teve1.info/

Të Ngjashme