Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, ka rikujtuar rëndësinë kyçe të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve mbetet një nga kushtet thelbësore për rrugën evropiane të të dyja palëve.
Përfaqësuesi i BE-së ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të marrëveshjeve të mëparshme të arritura në kuadër të dialogut.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, mbetet e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë ndërmjet palëve, duke theksuar se ndërmjetësimi evropian nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të tyre.
