Lajme

​16 subjekte politike nuk arritën të marrin as nga 1 për qind të votave më 7 qershor

Gjashtëmbëdhjetë subjekte politike që morën pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, nuk arritën të marrin as nga 1 për qind të votave në nivel vendi.

Rezultatin “më të mirë” nga të gjitha këto e arriti partia turke Kosova Demokratik Turk Partisi – KDTP. Ajo arkëtoi 5,709 vota, që janë 0.70 për qind të totalit të përgjithshëm.

Subjekti me më së paku sukses në këto zgjedhje ishte kandidati i pavarur Esmir Kasi. Ai, sipas rezultateve që certifikoi KQZ, të mërkurën, mori 0.03 për qind të votave, që janë vetëm 268.

Rezultatin e dytë më të “mirë” nga fundi e ka arritur KNRP me 0.04 për qind të votave, që i bie se pati besimin e vetëm 355 kosovarëve.

Shumica dërmuese e këtyre subjekteve politike janë të komuniteteve.

Në zgjedhjet e 7 tetorit morën pjesë 21 subjekte politike. Pragu për t’u futur në Kuvend ishte 5 për qind e votave të përgjithshme. Më shumë se kaq morën vetëm pesë subjekte politike – Lista Serbe, Aleanca, LDK-ja, PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sidoqoftë, në parlament hyjnë edhe 11 deputetë, subjektet e të cilëve nuk mbërritën pragun e të cilat mbetën nën 1 për qind të votave të përgjithshme. Ata bëhen pjesë e parlamentit për shkak të “garancive” kushtetuese që komuniteteve ua jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Sipas kësaj të fundit, 10 ulëse në parlament u takojnë “gjithsesi” pjesëtarëve të komunitetit serb e 10 tjera atyre që vijnë nga bashkësitë tjera etnike në vend.

Të Ngjashme