Shoqëria aksionare “Trepça” ka ndarë detaje mbi ngujimin e disa minatorëve, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas “Trepça Sh.A.”, rreth orës 01:30 ka ndodhur ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në Njësinë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça në Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV në Stan Tërg.
“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion” thuhet në njoftim.
Trepça bën me dije se në momentin e paraqitjes së defektit, në minierë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë të ndërrimit të tretë, të cilët kanë hyrë në punë më datë 13.05.2026 në ora 23:00.
29 punëtorë kanë dalë nga miniera, teksa 18 punëtorë ndodhen ende në minierë.
“Pjesa e mbetur e punëtorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh.
Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur” thuhet në njoftim.
