Një 20-vjeçar është plagosur me armë zjarri në një parking në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, gjatë orëve të para të mëngjesit.
Rasti është raportuar rreth orës 03:40, kur Policia është njoftuar se një person kishte mbetur i plagosur dhe ishte dërguar për trajtim në Emergjencën e Ferizajt.
Njësitet policore, së bashku me hetuesit dhe Forenzikën Rajonale, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme. Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar veprimet e mëtejshme hetimore.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dhe pamjet e kamerave të sigurisë, policia dyshon se i riu është rrëzuar derisa po lëvizte në parking. Gjatë rënies, arma që dyshohet se e kishte në çantë është shkrepur, duke e goditur në këmbë.
“Nga veprimet e para hetimore dhe këqyrja e pamjeve nga kamerat e sigurisë, dyshohet se personi i plagosur, derisa ishte duke lëvizur në parking, ka rrëshqitur dhe gjatë rënies i është shkrepur arma e zjarrit, të cilën dyshohet se e kishte në çantën e tij, duke e plagosur veten në këmbë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Ferizajt, i plagosuri me inicialet F.J. është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë kontrollit të çantës së tij, përveç armës së zjarrit, policia ka gjetur edhe një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj./teve1.info/
