“Themelimi i KOSTT-it në vitin 2006 ishte një moment vendimtar në reformimin dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në shënimin e 20-vjetorin e themelimit të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT.
“Ky ishte fillimi i ndërtimit të një institucioni të pavarur, profesional dhe të besueshëm, me përgjegjësi thelbësore për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin e sistemit të Kosovës në ato rajonale dhe evropiane.Sot, 20 vjet më vonë, mund të themi se KOSTT-i është një prej tregimeve të suksesshme të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Ai më tej shtoi se në vitin 2020, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E dhe fillimi i operimit të KOSTT-it si zonë e pavarur rregulluese, e menjëherë më pas dy muaj më vonë edhe në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë–Shqipëri, përfaqësuan një arritje historike për vendin tonë.
Kurti po ashtu tha se në vazhdën e këtyre zhvillimeve, marrja nën kontroll operacional nga KOSTT-i i Nënstacionit Vallaç përfaqëson një moment të rëndësishëm në konsolidimin e funksionimit unik të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
