06.09.2026 – 19:41
Sveçla në 27-vjetorin e Policisë: Profesionalizmi dhe guximi forcojnë shtetin
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, Sveçla vlerësoi punën, përkushtimin dhe sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar se profesionalizmi, guximi dhe përkushtimi janë ndër vlerat kryesore mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti.
“Policia ka dëshmuar se profesionalizmi, guximi dhe përkushtimi në shërbimin publik janë vlera mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti. Policia e Kosovës ka ndërtuar një histori të pasur institucionale, të shoqëruar me etapa të rëndësishme, sfida të shumta dhe përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha”, tha Sveçla.
Ai theksoi se, pavarësisht ndryshimeve dhe rrethanave ndër vite, misioni i Policisë së Kosovës ka mbetur i pandryshuar.
“Pavarësisht ndryshimeve dhe rrethanave të kohës, një gjë ka mbetur e pandryshuar: misioni i saj për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Në këtë përvjetor, Sveçla vlerësoi edhe kontributin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa përkujtoi pjesëtarët e saj që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
“Në këtë 27-vjetor kujtojmë me respekt të thellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata janë pjesë e pandashme e historisë së këtij institucioni dhe dëshmia më e lartë e përkushtimit ndaj qytetarëve dhe Republikës”, deklaroi Sveçla.
Policia e Kosovës shënon më 6 shtator 27-vjetorin e themelimit të saj.
06.09.2026 – 19:02
Në 27-vjetorin e Policisë, Kurti: Të rënët në detyrë janë heronj të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është sot më e sigurt se kurrë më parë, duke ia atribuar këtë forcimit të Policisë së Kosovës dhe shtrirjes së saj në gjithë territorin e vendit.
Në ceremoninë për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti tha se ky institucion është ndërtuar me shumë sakrificë dhe se pjesëtarët e tij vazhdojnë të punojnë për sigurinë dhe rendin në vend.
“Kosova është më e sigurt se kurrë më parë, sepse Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë”, tha Kurti.
Ai theksoi se gjatë viteve të fundit është rritur prania policore, veçanërisht në veri të Kosovës.
“Janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione dhe baza policore në gjithë veriun, aty ku më parë nuk kishte asnjë stacion policor”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, forcimi i pranisë institucionale në veri ka ndihmuar edhe në çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok.
Duke folur për luftën kundër kriminalitetit, Kurti tha se krimi nuk ka vend në Kosovë dhe se rezultatet në këtë drejtim janë të lidhura me punën e Policisë së Kosovës.
Kryeministri në detyrë përmendi gjithashtu policët e rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar ata si heronj të vendit dhe duke vlerësuar sakrificën e tyre për sigurinë e qytetarëve.
Kurti foli edhe për themelimin e Xhandarmërisë, për të cilën tha se do të jetë një përforcim shtesë i kapaciteteve të sigurisë.
“Themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si një përforcim shtesë, me mandat të qartë për sigurinë e vijës ajrore dhe tokësore të vendit”, tha ai.
Në fund, Kurti tha se 6 Shtatori, Dita e Policisë së Kosovës, është ditë e të gjithë atyre që angazhohen për paqe, siguri dhe dinjitet në vend.
“6 Shtatori është dita e Policisë, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe e të gjithë atyre që angazhohen që shteti të ketë paqe, siguri dhe dinjitet”, deklaroi Kurti.
