Eduart Grishaj zbulon detaje nga finalja e “Ferma VIP”: Do të jemi në mes të natyrës, larg studios dhe teknologjisë së mbyllur Pak orë para finales së madhe të “Ferma VIP”, regjisori Eduart Grishaj ka zbuluar disa nga surprizat që presin publikun në natën përmbyllëse të spektaklit.
I ftuar në nje lidhje direkte me studion televizive, Grishaj tregoi se finalja do të zhvillohet në një ambient krejtësisht ndryshe nga ai që publiku ka parë deri tani.
“Do të jemi në qiell të hapur. Sot jemi komplet ndryshe; nuk jemi më brenda, por jashtë në natyrë, ashtu siç i shkon këtij formati, në mes të pyllit, në mes të ujit, kafshëve dhe shpendëve. Do të jemi të gjithë bashkë. Kemi ardhur te natyra, larg studios dhe teknologjisë së mbyllur”, u shpreh ai.
Sipas regjisorit, këtë herë nuk do të ketë lidhje me studion në qytet, pasi e gjithë finalja do të zhvillohet në fermë.
“Sot nuk kemi asnjë ndërlidhje me studion e qytetit. Studioja jonë është këtu në natyrë. Finalistët dhe ish-fermerët do të na bashkohen. Nuk do të jetë thjesht një spektakël, por një show që do të alternohet me muzikë, këngë, art dhe skenografi”, tha Grishaj.
Ai zbuloi gjithashtu se skena e finales është ndërtuar posaçërisht për këtë mbrëmje dhe kombinon elementët e teknologjisë me natyrën.
“Kjo studio ku do të bëjmë finalen duket si një disk UFO-je; është futuristike, e gjitha me LED-e. Sonte do të ndërthuret teknologjia me natyrën: ka LED-e, por ka edhe dru, hekur, gur, ujë, madje edhe gjarpërinj e hardhuca”, tregoi ai.
Në një moment me nota humori, Grishaj foli edhe për moderatoren Arbana Osmani, duke lënë të kuptohet se publiku mund ta shohë në një rol të pazakontë.
“Arbana më thotë gjithmonë ‘mos më nxirr’, por unë vazhdoj ta bëj. Sonte Arbana ka një surprizë tjetër: përveçse do të kërcejë, ndoshta do t’i mbushë mendja edhe të këndojë”, tha ai me shaka.
Duke vlerësuar punën e ekipit, Grishaj theksoi se realizimi i “Ferma VIP” ka qenë një sfidë e madhe teknike dhe njerëzore.
“Merita i takon gjithë stafit që qëndron pas atyre 150 e ca kamerave, duke punuar 24 orë në ditë në të nxehtë, në të ftohtë dhe me vështirësi të mëdha. Nuk ka në televizion program më të vështirë se një reality show”, u shpreh regjisori.
Sipas tij, finalja do të sjellë performanca muzikore, surpriza për finalistët dhe praninë e familjarëve e fansave, duke premtuar një mbrëmje të mbushur me emocione deri në shpalljen e fituesit të edicionit të parë të “Ferma VIP”.
Eduart Grishaj foli edhe për Ermal Mamaqin, pas “tifozllikut” të tij për Ilirin në gjsmëfinale. A do të jetë Ermali si opinionist në finalen e Ferma VIP?
“Po presim nëse ai po reflekton. Nëse reflekton, mund të bëjmë një përjashtim. Ne jemi njerëz të mirë. Thjesht po presim reflektimin e tij që, kushdo që të fitojë sonte, ai të mos na thyejë skenografinë, të mos hipë mbi kamera dhe të mos na prishë poltronat . Pra, do të kemi një lloj kompromisi me të për transmetimin sonte “, tha Eduarti me nota humori.
